Trajneri i Shqipërisë Kristian Panuçi është më i qetë pas ndeshjes së fituar kundër Uellsit, në intervistat për “rtsh” dhe “supersport”, italiani lavdëroi lojtarët, por ndërkohë ka falënderim edhe për presidentin e FSHF-së Armand Duka, një deklaratë misterioze, sepse nuk tregon asgjë çfarë ka biseduar me të.
“Çfarë i thashë skuadrës? Doja një reagim dhe skuadra u tregua e zonja. Djemtë ditën të vuajnë, Uellsi donte fitoren dhe nuk ia doli, ky grup ekziston dhe nuk ka marrë fund.
“Nuk dal në televizion për të thënë që faji ishte i imi dhe kaq, Djemtë kanë punuar, kanë reaguar, jemi mbrojtur më mirë dhe kjo ka rëndësi”.
Mister, më në fund një fitore, sa vlen ky rezultat?
“Më në fund është fjala e duhur, gjetëm shpirtin e duhur dhe morëm një fitore. Më në fund ekip fitoi edhe pse me vuajtje. Uellsi donte po ashtu të fitonte, si çdo skuadër që kërkon maksimumin. Kjo nuk od të thotë se do të ndalemi me kaq, por të ecim para dhe të arrijmë kualifikimin në Europian”.
“E ardhmja? Nuk jam takuar me presidentin Duka, kam folur me të para ndeshjes dhe kemi thënë disa gjëra që mbeten mes nesh, por e falënderoj publikisht nga zemra”.
“Ndryshimet? Kishim 9 lojtarë jashtë, nuk kemi 40 të tillë në dispozicion, lojtarët luajtën, kundërsulmuan, luftuan dhe dhanë maksimumin, ndaj jam i kënaqur. Gjithsesi, kemi ende shumë probleme, ndaj i duhet dhënë kohë skuadrës, për ndryshimet taktike dhe kompletimin”.
“Loja e mirë apo rezultati? Preferoj të luajmë keq dhe të fitojmë, sepse në fund mbahet mend vetëm rezultati”.
“Marsi është afër apo larg? Për të rikuperuar ndonjë lojtar uroj të jetë larg”.
“A ishte një fitore që tregon shumë për ju? Unë e di se djemtë i kam me vete, pasi nëse do të shija të kundërtën atëherë do të largohesha”.
“A e fituam sot një lojtar si Ismajli? Është një lojtar i aftë dhe serioz që do të na japë ndeshje të bukura në të ardhmen”.