Cilat do të kenë qenë motivet e vërteta të kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, i cili të martën e kaluar në Washington ia dorëzoi këtë çmim gazetarit doajen të Zërit të Amerikës, në mesin e shoqatave e veprimtarëve të shumtë të atjeshëm, nderimi i tij lanë një borxh të këtij vendi ndaj një njeriu, i cili dha shumë për të
Nga Dush Gashi
Në kohën kur kemi devalvuar shumëçka, madje edhe dekoratat e çmimet nga institucionet e shtetit të Kosovës – duke i shndërruar edhe shenjat e pranimit publik të meritave të veçanta dhe veprat me rëndësi të madhe për vendin në mjet për përfitime individuale politike – ndarja e çmimit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” nga kreu i Qeverisë së Kosovës bashkëkombasit tonë në ShBA, Shaqir Salihu, në mesin e shoqatave e veprimtarë të shumtë të atjeshëm, këtë herë shkon në duart e duhura dhe në çastin e duhur.
Cilat do të kenë qenë motivet e vërteta të kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, i cili të martën e kaluar në Washington ia dorëzoi këtë çmim gazetarit doajen të Zërit të Amerikës, nderimi i tij lanë një borxh të këtij vendi ndaj një njeriu, i cili dha shumë për të dhe përçon mesazhin se Kosova nuk e harron kontributin e atyre, të cilët e ndihmuan me sinqeritet në ditët më të vështira të saj.
Shaqir Salihu ndoshta do ta meritonte këtë çmim edhe sikur të ishte vetëm autor i librit të vëllimshëm “Rrëfime lirie – Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës” (botuar më 2017 në Prishtinë, nga “Faik Konica”). Libri me rreth 600 faqe është dëshmi e çmueshme dokumentare e jetës së shqiptarëve të Kosovës në vitet ’60 e ’70 nën pushtetin komunist të Jugosllavisë e të Serbisë, për jetën e mërgimtarëve, të cilët vendit të tyre ia kthyen shpinën vetëm fizikisht, ndërsa brengën dhe hallet e tij i bartën kudo që shkuan. Është zor të gjesh edhe një burim tjetër më të besueshëm informimi dhe atmosferë më të gjallë e më të freskët për gjendjen në Kosovë të atyre viteve, pastaj të mërgatës në ShBA, personalitetet e shquara të saj dhe kontributin e tyre.
Libri po ashtu është edhe një monument i shkruar për të gjithë ata gazetarë të edicionit shqip të radios “Zëri i Amerikës”, të cilët bashkëkombësve të tyre u dhanë kurajo, duke ua bërë të ditur se përpjekjet e tyre bënin jehonë në botë dhe shpresë se ato nuk do të shkonin huq në periudha dramash të mëdha historike të fundit të shekullit të kaluar.
Por, ky libër paraqet vetë jetëshkrimin e Shaqir Salihut, përjetimet e tij që nga koha e hershme e mësuesisë e më pas edhe arratinë në mërgim dhe përpjekjet e parreshtura që atdheun ta ndihmojë që nga larg.
Libri i Shaqir Salihut hedh dritë të re edhe mbi jehonën e demonstratave në Kosovës të vitit 1981 dhe pësimeve të shumëta të shqiptarëve gjatë asaj dekade edhe në qarqet qeveritare amerikane dhe vënien në lëvizje të tyre, gjë që tregon se gjithë ato viktima dhe vuatje të atyre viteve nuk kanë qenë të kota.
Për fat të keq, libri tregon edhe qëndrimin e Shqipërisë së asaj kohe, që pasqyrohet edhe në fatin e Shaqir Saihut, nëpërmjet shefit të tij dhe veprimeve të tij aq të pabesueshme, të denja për një film tmerresh. Shaqir Salihu do të përjetojë çastet më të hidhura të jetës së tij, duke mos mundur të kuptojë se si pengesat më të mëdha për të përhapur të vërtetën për vendin e tij i vinin mu nga shefi i tij, i cili, përndryshe, atëherë e tash, me kujdes të madh e ndërton imazhin e atdhetarit. Atë kohë ai po e bënte mu të kundërtën: duke i shpërfillatr raportet për ngjarjet në Kosovës dhe duke i refuzuar të gjithë kosovarët, të cilët paraqiteshin për punë në “Zërin e Amerikës”, pos atyre të cilët i bindeshin atij. Është vetëm rrëfimi i bindshëm dhe i dokumentuar i Shaqir Salihut, i cili na bën të besojmë se, për ironi, mu brenda mureve të një mediumi bashkëkohor dhe atë në vendin e lirisë e të demokracisë, ai ia dilte ta ndërtonte një botë të errët e të mistershme – po përpiqej që, për ta hequr qafe Shaqir Salihun, madje ta dërgonte deri në çmendinë! Mbase ai edhe do t’ia dilte në këtë synim të tij mizor, sikur në anën Sahqir Salihut të mos dilte një zyrtare e arsyeshme amerikane, e cila i vihet në mbrojtje!
Përkundër këtyre përjetimeve të pakëndshme, Shaqir Salihu nuk i vë etiketa shefit të tij, nuk hamendëson për shtysat e tij, vetëm i tregon në mënyrë sa më objektive situatat dhe ia le lexuesit të gjykojë. Me këtë jo vetëm që e bën të besueshme historinë e tij, por kulturës shqiptare ia ofron një shembull të sjelljes së dinjitetshme edhe në situata kaq të rënda!Heshtja e ish-shefit të tij Elez Biberaj edhe pas kaq kohe, vetëm sa e dëshmon edhe më tej vërtetësinë e gjithë asaj që ka shkruar Salihu!
Atëherë, kushedi se çfarë rruge do të mund të merrte fati i Shaqir Salihut sikur të mos gjente satisfaksion nga mirënjohjet e zyrtarëve të tjerë më të lartë të “Zërit të Amerikës”. Çmimi i ndarë tash është edhe një satisfaksion për të, që t’i bëjë i qetë e krenar vitet e moshës së tij të shtyrë dhe të jetë krenar për kontributim e tin tij të vlerësuar ndaj atdheut.