Themeluesi dhe drejtuesi ekzekutiv i kompanisë Amazon, Jeff Bezos, ka zënë vendin e parë si amerikani më i pasur në listën e revistës Forbes. Forbes këtë vit për herë të 37-të publikoi listën e “400 amerikanëve më të pasur”. Jeff Bezos ka arritur të zë vendin e parë me pasuri prej 160 miliardë dollarëve.
Vetëm brenda një viti, ai ka arritur t’i shtojë pasurisë së tij 78,5 miliardë dollarë. Pasuria totale e vitit të kaluar prej 2,7 trilionë dollarëve e “400-ëshit të Forbes”, këtë vit u rrit në 2,9 trilionë dollarë. Ndërkaq, themeluesi i Microsoft, Bill Gates, i cili për 24 vite me radhë gjendej në vendin e parë, këtë vit ka zënë vendin e dytë me 97 mliardë dollarë.
Në vendin e tretë është renditur Warren Buffet, pronari i Berkshire Hathaway, me 88,3 miliardë dollarë. Themeluesi i Facebook, Mark Zuckrber, pasuria e të cilit u zvogëlua për dhjetë miliardë dollarë në krahasim me vitin e kaluar, është radhitur si amerikani i katërt më i pasur me 61 miliardë dollarë, ndërsa Larry Ellison, themeluesi i Oracle, zuri vendin e pestë me pasuri prej 58,4 miliardë dollarëve.