Bruksel, 14 nëntor – Eurodeputeti hungarez nga partia e Të Gjelbërve, Benedek Javor, në bisedë me MIA-n thotë se arratisja e Nikolla Gruevskit në vendin e tij hap shumë çështje juridike dhe politike për Qeverinë e Orban-it, si dhe rrezik për konflikt të ri mes Hungarisë dhe BE-së.
Zotëri Javor, cili është vlerësimi juaj për arratisjen e Gruevskit në Hungari?
Ky është një gjest shumë i çuditshëm nga lideri i Maqedonisë që të vijë në Hungari, kjo mund të shkaktojë problem të madh për Qeverinë hungareze gjithashtu. Sipas ligjeve vendore hungareze dhe evropiane nuk ka ndonjë mënyrë t’i jepet azil politik zotëri Gruevskit. Pjesërisht sepse Maqedonia për Hungarinë vlen si vend i tretë i sigurt, refugjatët të cilët arrijnë nga Maqedonia duhet të kthehen në Maqedoni sepse konsiderohet si vend i sigurt. Që gjithashtu do të thotë se nuk ka mënyrë që qytetarët e Maqedonisë të mund të konsiderohen si refugjatë politikë dhe t’u jepet azil. Parashtrohet pyetja si ndodhi kjo dhe si Gruevski arriti në Hungari? E kemi atë rrethojën famëkeqe të kufirit. Sipas mediave Gruevski ka arritur pa dokumente, pa pasaportë valide, ashtu që nëse rrethoja me të vërtetë “i mbron” Hungarinë dhe Evropën atëherë ajo duhet të ndalë dikë pa dokumentacion valid dhe Gruevski duhet të jetë në zonën transit të kufirit dhe të jetë lëndë e procedurave zyrtare. Kjo nuk ndodhi dhe për mua kjo e vë në pyetje funksionimin e tërë sistemit. Dikush pa dokumentacion valid mundet pa problem të futet në Hungari.
Tani ai është në Hungari dhe kjo krijon gjendje të rëndë për Qeverinë hungareze dhe konsideroj se në pikëpamje juridike Gruevski duhet të kthehet në Maqedoni dhe autoritetet e Maqedonisë duhet të ballafaqohen me këtë rast.
Kuptohet e dimë se ka marrëdhënie të afërt dhe miqësore mes Orbanit dhe Gruevskit, kështu që dyshoj se kjo do të ndodhë.
Por nëse nuk ndodh, hapen çështje juridike dhe pjesërisht është e qartë se ky është vendimi Qeverisë që të dalë në mbrojtje të Gruevskit, që do të thotë se ndoshta u shërbejnë interesave ruse kundër pozicioneve të qarta të NATO-s dhe BE-së. Ndoshta gjithashtu është vendim i Qeverisë të vendoset mes orientimit rus dhe evropian. Kjo është situatë komplekse.
Mundësia e tretë është të mos i jepet azil politik por të mbahet në Hungari një periudhë të caktuar derisa nuk gjen vend më të sigurt për veten dhe atëherë në ndonjë mënyrë të lejohet që të arrijë në një vend jashtë BE-së, që është zgjidhje në të cilën Hungaria nuk i jep azil politik sepse ajo mund t’i krijojë shumë probleme, ndërsa megjithatë t’i ndihmojë Gruevskit t’i shmangë pasojat juridike në Maqedoni.
Iku pa pasaportë, a mendoni se Orban personalisht i ka ndihmuar?
Nuk kemi dëshmi tani për tani për këtë. Është e qartë se parashtrohet pyetja: si ka arritur në Hungari. Hapet çështja se çka kanë bërë ose nuk kanë bërë autoritetet serbe. Sa i përket Hungarisë pyetja e vetme është si ka hyrë në vend? Zyrtarisht ai nuk mund të jetë atje. Duhej të ndalet. Ose ka arritur përmes autostradës dhe atje ka kontroll kufitar dhe është dashur të ndalet. Ose ka arritur përmes linjës së gjelbër ku e kemi rrethojën famëkeqe. Hapet pyetja: ose autoritetet hungareze me qëllim e kanë lëshuar të hyjë edhe krahas asaj që nuk ka pasur dokumentacion valid, ose autoritetet hungareze nuk e kanë parë, që do të thotë se secili mund të hyjë në vend pa kontroll. Atëherë për çka shërben rrethoja?
A do të shkaktojë kjo probleme të brendshme politike në Hungari?
Kuptohet opozita e hap çështjen, por nuk pres që kjo ta rrezikojë shumë qeverinë. Por mund të krijojë problem serioz me Brukselin. Kjo që ka ndodhur është shumë diskutabile nga perspektiva evropiane. Varësisht nga ajo si autoritetet hungareze do të ballafaqohen me rastin, situata mund të përkeqësohet dhe të hapë një brengosje serioze nga ana e institucioneve evropiane, posaçërisht Komisioni Evropian.
Duke ditur sa ngadalë Komisioni Evropian reagon ndaj problemeve me sundimin e së drejtës në Hungari, a mendoni se do ta hapin këtë çështje?
Komisioni Evropian duhet ta hapë çështjen pasi i rrezikon interesat themelore evropiane të sigurisë. Ky është problem serioz dhe i tmerrshëm politik me aspekte të rëndësishme legale dhe këto dy gjëra janë të mjaftueshme që Komisioni të ndërmarrë hapa që ta sqarojë çështjen dhe të bëjë presion për atë se zgjidhja e vetme e pranueshme është të kthehet Gruevski në Maqedoni. KE-ja çdoherë e para tenton t’i zgjidhë problemet pa u involvuar opinioni, por besoj se që prej sot KE-ja është në kontakt me autoritetet hungareze dhe e hap këtë çështje.
E përmendët Rusinë më herët, a mendoni se ka involvim rus në këtë rast?
Nuk kemi dëshmi, nuk do të thotë se ka ndikim të drejtpërdrejtë rus, por e dimë se Gruevski ka marrëdhënie të forta dhe të mira me Rusinë, Orbani po ashtu. Teorikisht kjo ka mundur të ndodhë pa përkrahje ruse, mund të jetë aksion privat i Gruevskit pa diskutuar aspak me autoritetet hungareze, por nuk besoj në këtë teori. Autoritete hungareze së paku kanë qenë të involvuar. E dimë se Rusia shfrytëzon “proksi” shtete që të zgjidhë ose ndërmarrë aksione që u përgjigjen. Mendoj se është e mundur tërë aksioni të planifikohet në Rusi, kjo është mundësi, por sërish nuk kemi dëshmi për një gjë të tillë. Ajo që është publike është se Gruevski ka ikur në Hungari dhe menaxhimi i mëtejshëm me rastin nga ana e Hungarisë do të na japë ide çka me të vërtetë ka ndodhur. Nëse dërgohet prapa në Maqedoni së shpejti, atëherë është shenjë se është aksion privat i Gruevskit pa involvim të madh të Hungarisë dhe Rusisë. Por nëse sjell deri në shpëtim të Gruevskit nga pasojat juridike, atëherë përforcohet ideja se e tërë kjo u planifikua dhe është aksion i përbashkët i disa vendeve dhe ndoshta shërbimeve zbuluese.
Pikërisht kur Orbani po tenton t’i qetësojë marrëdhëniet me BE-në, po ndodh kjo, nëse Gruevski arrin në një moment të pavolitshëm për qeverinë hungareze?
E saktë, nuk është momenti më i mirë për Orbanin, vetëm nëse me të vërtetë dëshiron t’i qetësojë marrëdhëniet me Evropën. Asnjëherë nuk dihet me të. Mundet edhe të përgatitë konflikt të ri me Brukselin, që do të ishte konflikt i lirë për shkak se nuk ka rrezik për disa interesa të mëdha hungareze. Sinqerisht, Orbani është politikan ekstrem pragmatik dhe nëse vlerëson se çmimi është tepër i lartë do ta tradhtojë edhe mikun më të mirë. Gruevski nuk duhet të ketë shumë besim se Orbani do ta mbrojë me çdo çmim. Nuk do ta shpëtojë nëse nuk ka interes.