Evis HALILI
Shkup, 3 nëntor – Emrat e anëtarëve të rinj të komisioneve në Ministrinë e Kulturës, të cilët do të merren me shqyrtimin e projekteve të Konkursit për programin vjetor do të mësohen javën e ardhshme, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse jozyrtarisht në opinion qarkullojnë emra që do të zëvendësojnë anëtarët aktualë, nga Ministria e Kulturës thonë se javën e ardhshme, kur të mbyllet edhe procesi i zgjedhjeve lokale, do të bëhen publike ndryshimet eventuale në të shtatë komisionet, atë të Arteve vizuale, arkitekturë dhe dizajn; Folklor muzikë dhe aktivitet skenik-muzikor; Dramatik; Literaturë dhe veprimtari botuese; Projektet interdisiplinare; Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe Veprimtaria ndërkombëtare.
Po ashtu, nga ky institucion nuk jepen hollësi lidhur me shkarkimet dhe emërimet e reja, që gjithsesi janë paralajmëruar disa muaj më parë, si pjesë e ndryshimeve dhe reformave brenda institucionale, por edhe e kritereve të reja dhe transformimeve që ka pësuar vetë konkursi vjetor.
“Se çfarë ndryshimesh do të ketë do të publikohen javën e ardhshëm, me përfundimin e procesit zgjedhor, atëherë kur edhe ligjërisht mundësohen emërimet dhe shkarkimet”, thonë nga Ministria e Kulturës. Sa i takon anëtarëve shqiptarë në këto komisione do të ketë sërish ndryshime, edhe pse një pjesë janë emëruar vitin e kaluar. Si komisione ku nuk do të ketë lëvizje janë ato të Botimit dhe Muzika, ndërsa në komisionet e tjera do të përzgjidhen anëtarë të rinj. Anëtarët e komisioneve për disa vjet me radhë nuk kanë lëvizur nga posti, madje një pjesë prej tyre e kanë vazhduar disa herë mandatin dy vjeçar. Shkarkimet e dy viteve të fundit dhe qarkullimi i një pjese nga një komision në tjetrin janë lidhur me vërejtjet që janë bërë lidhur me rezultatet e konkursit, numri i projekteve dhe ajo që vazhdimisht është problematike buxheti i vogël që është vënë në dispozicion të projekteve shqiptare, krahasuar me të tjera, sidomos në muzikë, por edhe botime. Konkursi për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë për vitin e ardhshëm do të mbyllet pas dy javësh. Pas gati dhjetë vitesh ky konkurs, kriteret dhe kushtet e konkurrimit kanë ndryshuar me qëllim unifikimin dhe thjeshtëzimin e tij dhe për t’iu përshtatur nevojave dhe kërkesave të atyre që merren me kulturë. Për këtë arsye Ministria e Kulturës që prej shpalljes së Konkursit, një muaj më parë ka organizuar disa sesione informative ku përfaqësues të këtij institucioni japin instruksione për formën e drejtë të aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm dhe plotësimin e tyre në të shtatë veprimtaritë. Në konkursin e sivjetshëm, rezultatet e të cilit do të shpallen në fund të muajit dhjetor, pritet të ketë numër më të vogël projektesh që do të realizohen, por sipas deklarimeve të kreut të këtij institucioni, Robert Allagjozovki, kriteri bazë do të jetë cilësia dhe jo arritja e përqindjeve. Po ashtu edhe prioritet kanë ndryshuar, si në sektorin e muzikës, ku projektet që lidhen me folklorin po ashtu vendosen në plan të dytë. (koha.mk)