Shkup, 1 prill – Kryeministri Zoran Zaev gjatë javës së ardhshme pret të gjendet zgjidhje për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shtetësi të propozuar nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Ai deklaroi se shumë dilema lidhur me ndryshimin e ligjit janë zgjidhur, ndërsa detajet duhet të përpunohen nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë.
“Vendi jonë me intervenimin në ligjin për shtetësi në vitin 2004, në dispozitat kalimtare, jep mundësi me të cilat qytetarët, të cilët janë apartrid dhe nuk kanë shtetësi tjetër, atë ta marrin. Kjo është e përfunduar dhe mendoj se bëhet fjalë për rreth 5 mijë qytetarë. Tani, sipas Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, ka rreth 1500 persona pa shtetësi. Por sipas evidencës e drejtorisë së Librit amë të të lindurve, bëhet fjalë për 750 persona. Besoj se nuk mund të jenë më shumë se 1500 deri 2000 persona. Nëse bëhet fjalë edhe për vetëm një person, ne duhet ta kryejmë punën”, potencon Zaev.
Ai tha se ndjen keqardhje që në Parlament po bllokohet Ligji për menaxhimin me kriza, ndërsa afati për ekzistimin e gjendjes së krizë ka kaluar mbrëmë. “Sot është dita e fundit që Parlamenti, presidenti i shtetit dhe Qeveria të gjejnë zgjidhje juridike. Për këtë arsye, me tërheqjen e armatës nga kufiri jugor dhe verior, do të hapet rruga e migrantëve, që do të paraqet problem për Republikën e Maqedonisë së Veriut, rajonin dhe për Evropën”, potencon Zaev. (koha.mk)