Nuk ndodh shpesh që për disa ditë, një javë a më shumë, të ndeshem, të shoh dhe të takoj kaq shumë njerëz, tanët, të krijuar nga rrethanat dhe përvojat tona, me jetë dhe përditshmëri si e jona, e që kanë arritur të shpërthejnë aq shumë, sa të na kalojnë, neve, vetveten dhe të shërbejnë për gjithë njerëzimin…
Nga Nazim RASHIDI
Nuk ka event më të përfolur prej ditësh, eko e të cilit ende vazhdon dhe kjo është ndeshja finale në Ligën e Kampioneve mes Liverpulit dhe Real Madridit. Ende në murin tim në Facebook, më shfaqet zemërimi i fansave të shumtë me atë që i ndodhi ose nuk i ndodhi Sergio Ramos-it të Real Madritit me përballjet e tij “jo sportive” qoftë me Loris Karius qoftë me Mohamed Salah të Liverpulit gjatë finales të madhe. Shoh përplasje verbale mes fansash se pse UEFA nuk do të ndërmarrë gjë ndaj Ramos, e të tjera komente si këto që kanë të bëjnë me një prej eventeve më të shikuar në rruzullin tokësor.
Janë këto evente që lidhin botën dhe që krijojnë një dimension universal duke shkaktuar madje edhe ndarje edhe brenda një fisi, shoqërie a kombi kur bëhet fjalë se cilin ekip mbështet. Është një leksion i mirë se pasioni disa herë tejkalon do paradigma të përcaktuara më herët në konstruktet tona për shoqërinë apo dhe etninë. Të tilla efekte jep futbolli, të cilit anglezët i referohen me fjalët “lojë e bukur”. Por veç futbollit e bukur ishte hapja e kësaj finaleje të madhe.
Në mbamendjen kolektive tonën por dhe të gjithë botës në tru, si një tatuazh, kanë mbetur pamjet spektakolare të mini koncertit të Dua Lipës. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që fansat e futbollit të miksohen aq shumë me art e muzikë dhe po si rrallë herë shihje prej tyre se si në një anë shanin e mbronin ekipin e tyre dhe si në anën tjetër i gëzoheshin një artisteje shqiptare.
Ishte dhe ende është një javë e bukur me gjithë prezencë shqiptare nëpër botë. Disi e paimagjinueshme, por jo e pa mundur.
Nuk dua të jem as romantik e aq më shumë euforik, por nuk është se ka ndodhur që për një periudhë kaq të shkurtër kohore të ketë kaq shumë vetëdije për prezencë shqiptare në botë dhe këtë s’ka se si mos e vëmë re. Por sigurisht që gjurmë janë lënë dhe më herët.
Mu dha mundësia që në Tiranë të shoh një ekspozitë librash të vjetër kryesisht fate, Bibla dhe Kurane të krijuar ndër shekuj dhe tejet të lashtë por që kanë pasur impakt të madh.
Kodikët e Shqipërisë njihen dhe janë një fond me rëndësi botërore për historinë e zhvillimit të letërsisë së vjetër biblike, liturgjike. Pra rëndësia e tyre është botërore. Dhe e theksoj këtë se sepse impakti dhe gjurma shqiptare ka qenë e pranishme ndër shekuj, por disa herë kur ajo është e fshehur në libra e biblioteka nuk është se e vëmë re. Ky është ai momenti që krijon gëzim dhe ekzaltim kur Dua Lipa këndon në finalen e Ligës së Kampionëve që mbështjell të tërë, por në fakt po aq “share” do të duhet të kishte pasur edhe ekspozita me librat e lashtë, sepse impakti i tyre ka qenë ndër shekuj madje duke determinuar zhvillimet që rrjedhin dhe sot. Kjo pasuri që shfaqet në ekspozitën e quajtur “Urtësi e pashuar” shfaq vëllime të rralla dhe të moçme të trashëgimisë që kemi në latinisht, shqip, greqisht, osmanisht, persisht. Po kaq i madh është ndikimi edhe pse i heshtur dhe shpesh edhe i fshehur. Por që është dëshmi se mbase s’është edhe aq çudi që shqiptarët sot mund të lënë gjurmë në botë se këtë e paskan bërë edhe më herët, por në forma dhe medie te tjera. Ose me fjalë të tjera e kanë bërë në rrjetet sociale të kohës, që kanë qenë librat dhe bibliotekat.
Kur del nga kjo ekspozitë, që është e vendosur në qendër të Tiranës, tek ish shtëpia e diktatorit Enver Hoxha, dielli dhe temperaturat e larta si në filmat fantastiko-shkencor, të teleportojnë e të hedhin në kohën e tashme. Je i rrethuar menjëherë me lokale dhe zhurma ku sfondi muzikor popullor sërish është i një shqiptareje. Kënga dominante e kësaj vere filloi të marrë dhenë, e sërish ka lidhje me futboll dhe botën. Është ajo e Era Istrefit, që këndon bashkë me Will Smith dhe Nicky Jam. Himni i botërorit Rusi 2018, “Live it up” do të na shfaqet nga të gjitha anët sa do të na mërzitet, por ky realiteti i krijimeve dhe ndikimeve shqiptare duket se s’ka të ndalur këtë javë e më hodhi nga e tashmja në lashtësi e prapë.
Dhe realisht për kaq pak ditë s’ka pasur kaq vetëdije për kaq shumë impakt shqiptar. Dhe nuk mbaroi këtu. Java po më vë në dijeni edhe për personalitet të tjera, nga fusha të tjera që gjithashtu lënë gjurmë, por që nuk janë si këngët me të cilat përplasesh lehtë edhe kur nuk do.
Anri Sala, gjithashtu shfaqi një vepër në Tiranë. Pas disa muajsh do të jetë edhe në Shkup.
Dua Lipa, Rita Ora, Era Istrefi i artit modern botëror është Anri ynë. Konsiderohet si një nga artistët më të rëndësishëm të artit modern. s’ka galeri me rëndësi globale ku nuk ka ekspozuar dhe nuk lë mundësi pa shfrytëzuar që të shprehë dhe krijojë edhe në hapësirat tona duke i bërë ata qendra të këtij ndikimit global që vijnë prej nga ne e shkojnë përtej.
Siç është dhe impakti edhe i Agon Hamzës, një filozof i ri në moshë, nga Prishtina, por që citohet nga filozofët më në zë të së tashmes tonë, në rrafsh global. Edhe ai, duke jetuar dhe vepruar këtu, pranë nesh, arrin të përçojë perspektivat më tharmin e vendit ku krijon dhe ti transformojë në mendime universale. Dhe një sqarim, idetë filozofike që krijohen e determinojnë njerëzimin, impaktin e kanë shumë më vonë, a? Se ne sot jetojmë në fakt idetë e funksionimit të shoqërisë të shprehura nga filozofë shekuj më parë. Pra idetë e Hamzës por dhe të tjerëve, shqiptarë, po aq kontribuues në filozofi, por që janë si librat e kodikëve, të heshtur e të thelluar në shkronja e tekste, do të kenë impakt edhe në të ardhmen.
Është mirë të jemi të vetëdijshëm për këtë. Sigurisht ka dhe shumë të tjerë që kontribuojnë. Por përmend këta të dy, se brenda javës edhe ata ishin në Tiranë.
Dhe realisht s’më ndodh shpesh që për disa ditë, një javë a më shumë, të ndeshem, të shoh dhe të takoj kaq shumë njerëz, tanët, të krijuar nga rrethanat dhe përvojat tona, me jetë dhe përditshmëri si e jona, e që kanë arritur të shpërthejnë aq shumë, sa të na kalojnë, neve, vetveten dhe të shërbejnë për gjithë njerëzimin. Më duket vetja si Uta Ibrahimi, në majë të botës. E cila po këtë javë edhe ajo, sfidoi dhe hipi edhe në një majë tjetër të Himalajeve. Asnjë alpiniste shqiptare se ka bërë këtë gjë më parë.
Paralelisht me këtë realitet, që më dha një javë të bukur, është dhe ai i përditshmërisë të pisët, me intriga, politikë dhe probleme. Por them se ditët e bukura që jo shpesh vinë kaq shpesh, kaq afër njëra tjetrës, duhen festuar. Hmmm, po si? Normal me muzikë. Të dielën më 3 qershor, në Tiranë, ka koncert Rita Ora. Wowww, çfarë javë e bukur!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)