[adning id="476476"]

Java me 4 ditë pune, ‘suksesi i jashtëzakonshëm’ i këtij vendi në Evropë

27

Më shumë se 85% e fuqisë punëtore të vendit ose kanë vendosur për kohë më të shkurtër pune për të njëjtën pagë ose kanë fituar të drejtën për të punuar më pak. Mbështetja më e madhe erdhi pas dy studimesh.

Punëtorët në Islandë kanë zgjedhur gjithnjë e më shumë të kenë një javë më të shkurtër pune, pasi dy studime në shkallë të gjerë treguan se më pak orë pune e rrisin “në mënyrë dramatike” mirëqenien e tyre dhe ekuilibrin midis jetës private dhe punës.

Të dyja studimet, të cilat u zhvilluan nga viti 2015 në vitin 2019, gjithashtu zbuluan se produktiviteti mbeti i njëjtë ose u përmirësua në shumicën e vendeve të punës të regjistruara në eksperiment.

Studiuesit thanë se eksperimentet e drejtuara nga Këshilli i Qytetit Reykjavík dhe qeveria kombëtare rezultuan një “sukses i jashtëzakonshëm”, dhe që nga përfundimi i tyre, rreth 86% e fuqisë punëtore të vendit tani po punojnë më pak orë pune pa marrë një ulje page, ose kanë fituar të drejtën ta bëjnë këtë.

“Udhëtimi islandez në javën më të shkurtër të punës na tregon se jo vetëm që është e mundur të punohet më pak në kohën e sotme, por edhe se është i mundur një ndryshim progresiv,” thotë Gudmundur Haraldsson, një nga studiuesit.

Mirëqenie më e mirë

Eksperimenti, në të cilin morën pjesë mbi 2.500 punonjës – më shumë se 1% e popullsisë që punon të Islandës – përfshiu një gamë të gjerë vendesh pune, nga kopshtet në spitale dhe zyra te punonjësit e shërbimeve sociale. Shumë nga pjesëmarrësit kaluan nga një javë 40-orëshe në një javë 35- apo 36 orëshe.

Punonjësit raportuan se koha më e shkurtër e punës e bën më të lehtë kryerjen e detyrave të ndryshme shtëpiake, të tilla si blerjet, pastrimin dhe rregullimin, gjatë ditëve të javës. Shumë pjesëmarrës meshkuj në marrëdhënie heteroseksuale thanë se mund të kalonin më shumë kohë në punët e shtëpisë, veçanërisht me pastrimin dhe gatimin.

“Kjo tregon se sektori publik është i pjekur të bëhet pionier i javëve më të shkurtra të punës – dhe se nga kjo mund të nxirren mësime për qeveritë e tjera”,- tha Will Stronge, drejtori i kërkimit për Autonomy, qendër kërkimore në Britaninë e Madhe, i cili së bashku me Shoqatën për Demokraci të Qëndrueshme (Alda) në Islandë analizoi rezultatet e studimeve.

Java katërditore po fiton terren

Ideja e një jave katër ditore pune është bërë gjithnjë e më tërheqëse në të gjithë botën. Spanja po provon një javë pune 32-orëshe për kompanitë, në një program pilot që kushton 50 milionë euro. Firma e konsumit Unilever ka filluar një eksperiment, në të cilin po i paguan dhjetëra punonjës të saj me pagat e tyre të plota, ndërsa u kërkon atyre të punojnë vetëm katër ditë në javë.

Në Japoni, qeveria ka rekomanduar që kompanitë të lejojnë punonjësit e tyre të zgjedhin një javë katër ditore për të përmirësuar mirëqenien e punëtorëve. Kompanitë, nga ana e tyre, do të arrinin në këtë mënyrë të mbanin punëtorë të aftë dhe me përvojë, të cilët përndryshe mund të duhet të largohen për shkak të përgjegjësive familjare

Në gusht, sindikata më e madhe gjermane IG Metall bëri thirrje për një javë më të shkurtër pune, duke argumentuar se një gjë e tillë do të kursente mijëra vende pune të kërcënuara nga transformimi i industrisë së automobilave në lëvizjen elektrike.

Një raport i porositur nga fushata e Javës 4 Ditore prej Platformës Londër tregoi se kalimi në një javë pune katër ditore gjithashtu ofron përfitime mjedisore. Një hap i tillë mund të zvogëlojë gjurmën e karbonit në Britaninë e Madhe me 127 milionë tonë në vit deri në vitin 2025, e barabartë me heqjen e 27 milionë makinave nga rruga./Revistaclass