Evis HALILI
Shkup, 7 mars – Java e kulturës shqiptare është një prej manifestimeve në kuadër të shënimit të “Vitit të Gjergjit” në Maqedoni që do të zhvendoset nga Shkupi në disa qendra në botë ku jetojnë shqiptarët, shkruan gazeta KOHA. Prezantime librash, ekspozita me dokumente e materiale historike, dokumentarë, e të tjera janë pjesë e kësaj ngjarje që do të zhvillohet në muajin qershor nën kujdesin e Institutit të Trashëgimisë.
Qendrat e kulturës, apo edhe konsullatat e Shqipërisë dhe Kosovës do të jenë disa prej lokacioneve ku do të mbahet java e kulturës, duke e vendosur kështu në agjendën e shënimeve të përbashkëta mbarëshqiptare. Përveç prezantimeve që lidhen me figurën e heroit kombëtar, në këto aktivitete do të vihen në qendër edhe materiale të tjera që lidhen me personalitete të tjera shqiptare, si Pjetër Bogdani, Jashar Bej Shkupi, familjet katolike në Shkup, e të tjera. Sa i takon aktiviteteve të tjera që do të zhvillohen në Maqedoni me rastin e Vitit të Skënderbeut, Këshilli i ngritur nën patronazhin e kreut të kuvendit Talat Xhaferri ka caktuar disa data, të cilat mbyllen më 22 nëntor, në 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit. Një pjesë prej tyre financohen nga ministri dhe institucione të tjera shtetërore dhe realizohen nga ITSHKSH. Pas dy datave të shënuara më 17 janar (550 vjetori i vdekjes së Skënderbeut) dhe 2 mars (574 vjetori i Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës) ngjarje të tjera janë kryesisht në muajin qershor, si 140 vjetori i Lidhjes se Prizrenit, 100 vjetori i lindjes së Nexhat Agollit, 140 vjetori i lindjes së Hasan Prishtinës, 90 vjetori i largimit të Nënë Terezës nga Shkupi, e të tjera.
“Java e kulturës shqiptare do të zhvillohet në disa qendra në Evropë dhe SHBA (Nju Jork) në javën e dytë të muajit qershor dhe është ngjarja e parë që zhvillohet në koordinim edhe me Tiranën dhe Prishtinën si pjesë e shënimeve mbarëshqiptare. Disa lokacione dihen, por ende nuk janë konfirmuar të gjitha qendrat ku do të zhvillohen aktivitetet e kësaj jave. Sa i takon aktiviteteve brenda Maqedonisë gjatë këtyre muajve do të shënojmë një sërë datash që kanë një rëndësi të posaçme për ne shqiptarët, në bashkëpunim me ministritë e Kulturës dhe Arsimit, Sekretariatit për Implementimin e MO, institucione të tjera, e shoqata. Po ashtu aktivitetet do të koordinohen edhe me institucionet e tjera në Tiranë e Prishtinë, si Instituti i Historisë”, thotë për KOHA, zëvendëskryetari i Këshillit për shënimin e Vitit të Gjergjit, Skëndër Asani.
Si ngjarje më të rëndësishme kulturore me rastin e Vitit të Skënderbeut në Maqedoni priten të jenë edhe premiera e operës “Skënderbeu”, si edhe interpretimi i artistit Shkëlzen Doli në Filarmoni.
Një javë me manifestime kulturore do të zhvillohet po ashtu edhe Manastir, ndërsa godina e Muzeut të Alfabetit pritet të përfundojë me rikonstruktimin dhe arredimin e kompletimin e ambienteve. (koha.mk)