Shkup, 29 prill – Në kuadër të fushatës “Java e jetimit”, janë prezantuar poezi, debate, e fjalime të ndryshme të cilat kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve si dhe përkrahjen morale deri tek fëmijët. Rufat Sherifi, kryetar organizatës, shprehet se vetëdijesimi është në ngritje e sipër, e këtë padyshim e bëjnë përkrahja e institucioneve, individë, e afaristë të ndryshëm.
“Vetëdijesimi është në ngritje e sipër, atë e bën mbështetja që japin institucionet, individët, afaristët dhe atë që dëshiroj tua tregoj që na kanë përcjellur ekipet tona, se aty ku kanë bërë vizitë fëmijët qoftë në qendra tregtare janë paraqitur donatorë, në vend tjetër është paraqitur ndonjë pronar i restorantit, që ka ofruar mundësinë që të kalojnë një darkë në restorantin e tij. Un mendoj se popullata jonë e ka të ngulitur bujarinë në zemrën e vetë, ndaj rasteve sociale dhe fëmijëve posaçërisht kur bëhet fjalë për jetimët, ata kanë edhe më tepër një dashuri për të qenë pranë atyre dhe për ti ndihmuar”, tha Rufat Sherifi.
Në këtë fushatë, e cila do të zgjasë deri më 30 prill, do të marrin pjesë edhe fëmijë jashtë vendit, ndërsa në kuadër të saj do të mbahen debate, grumbullim i donacioneve, koncerte humanitare dhe ekskursione të ndryshme.