Uashington, 7 qershor – Në rrugët e kryeqytetit amerikan Uashington dje në protestën më masive kundër diskriminimit racor dolën mijëra persona, të cilët e ngritën zërin e tyre kundër racizmit dhe dhunës policore në SHBA.
Policia ka pritur që protesta të shndërrohet në një nga protestat më masive që kanë ndodhur viteve të fundit në Uashington. Qendra e qytetit ishte bllokuar për automobilat – nga policia dhe përfaqësuesit e Gardës kombëtare.
Protestat të cilat këto ditë zhvillohen në shumë qytete të SHBA-së , janë organizuar nga lëvizja “Jeta e zezë ka rëndësi”, (Black Lives Matter).
Edhe pse në fillim ishin të dhunshme, ditëve të fundit tubimet janë të qeta dhe zhvillohen në atmosferë të karnevaleve – këndohen këngë, brohorisin parulla “Kështu duket demokracia” ose “Nuk mund të marr frymë”, fjalia e fundit në jetën e afroamerikanit Xhorxh Flojd, i vrarë nga policët në Mineapolis.
“Në shumë pjesë të SHBA-së sot, për shumë pjesëtarë të popullatës së zezë është e pasigurt të dalin nga shtëpia. Jo për shkak të asaj që mund të sulmohen nga të tjerët, por para se gjithash për shkak të kërcënimit të policisë, deklaroi për MIA një pjesëmarrës në protestat e mbrëmshme në Uashington.
Korrespondenti i MIA-s nga Uashingtoni arriti në vendin kryesor të protestave para parkut Lafajet në Shtëpinë e Bardhë rreth orës 14 dhe atje tashmë kishte rreth 3.000 demonstrantë.
Organizatorët e protestës në Uashington dje në motin e nxehtë kanë shpërndarë pije freskuese dhe ushqim për pjesëmarrësit në marshe.
Xhorxh Flojd (46) vdiq në Mineapolis, prejse një polic e vuri gjurin në qafën e tij dhe të shtrirë me pranga në duar e mbante në pozitë të tillë gati nëntë minuta. Vrasja nxiti demonstrata në shumë qytete të mëdha dhe vende të vogla në mbarë SHBA-në kundër racizmit dhe sjelljes së pamëshirshme të policisë ndaj grupeve të pakicave.
Mbrëmë protesta kishte në qytetet më të mëdha të SHBA-së, në Nju-Jork, San Francisko dhe Los Anxhelos.
Një nga kërkesat e demonstrantëve është shkurtimi i parave për financim të policisë.
Reformat po bëhen gjithashtu në proceset e ndalimit të menjëhershëm – guvernatori Endrju Kuomo theksoi se shteti federal Nju-Jork duhet t’i ndalojë ngulfatjet, ndërsa guvernatori i Kalifornisë, Gavin Njusam, porositi që policia t’i heq trajnimet e mbajtjes. Në Mineapolis pushteti lokal votoi ndalesë për përdorim të gjurit gjatë fiksimit të të dyshuarit për arrest.
Të enjten, dy policë nga Bafalo, ishin larguar nga shërbimi, pas shtyrjes gjatë protestave të një plaku 75 vjeçar, me ç’rast ai ka mbetur me lëndime në kokë.
Mbrëmë mbishkrim i ndritshëm “Jetët e zeza kanë rëndësi”, u paraqit edhe në ndërtesat rreth Shtëpisë së bardhë, ndërsa rruga në afërsi të rezidencës ishte emëruar në nder të lëvizjes, si përgjigje e prefektes së Uashingtonit në urdhërin agresiv të presidentit Donald Tramp për dëbim të demonstrantëve.