Rritje të numrit të lajmeve të rrejshme në prag të zgjedhjeve presidenciale, si dhe gjatë fushatës, e cila zyrtarisht fillon më 1 prill, pret profesoresha e Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë”, Jasna Baçovska Nediq, e cila në intervistën për MIA-n shprehet se qytetarët tanë kanë fatin që jetojnë në një shoqëri, në të cilën më lehtë kontrollohen informacionet, funksionon komunikimi interpersonal dhe ende ditarët qendror televiziv janë burimi kryesor i informimit.
Për fenomenin lajme të rrejshme, historinë e tyre, qëllimin për shkak të cilit përhapen dhe prej ku rrjedhin më shpesh, ndërsa e gjithë kjo në kontekst të zgjedhjeve presidenciale biseduam me profesoreshën Baçovska Nediq, në intervistën që e bëjmë para studentëve të saj në Fakultetin Juridik.
Ajo thekson se lajmet e rrejshme janë një fenomen i rëndë juridiko-sociologjik, por përkujton se ky është çmimi i lirisë së fjalës, që e mundësuan mediat e reja.
Si njeri i profesionit akademik e cila i ndjekë zhvillimet politike në vend për këto zgjedhje presidenciale nuk pret fushatë më të ndryshme nga ato paraprake, përkundrazi pret fushatë të keqe, diskreditime në bazë personale, ndërsa e gjithë kjo sipas saj, mes tjerash, ka të bëjë me nivelin e ulët të kulturës politike në vend.
Në luftën kundër lajmeve të rrejshme, shpëtimi shihet në arsimimin mediatik, por edhe në profesionalizimin gjithnjë e më të madh të profesionit të gazetarisë.
Para do kohë studentët e Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë” në prag të zgjedhjeve presidenciale dërguan porosi “Informo, mos manipulo!”. A mund të na thoni diçka më shumë për këtë aktivitetet?
Më 7 mars kishim një ngjarje, që tërhoqi vëmendjen e opinionit dhe ky ishte qëllimi ynë. Qëllimi ishte që studentët e marrëdhënieve me opinionin dhe gazetarisë jo vetëm si studentë, por edhe si njerëz të rinj, qytetarë të kësaj shoqërie të dërgojnë një porosi më të gjerë drejtuar opinionit dhe profesionit të tyre, njerëzve që janë në gazetari dhe në marrëdhëniet me opinionin në prag të fushatës presidenciale, me një dëshirë për etablimin e profesioneve të tyre. Profesioni marrëdhënie me opinionin në Maqedoni është paksa i etabluar në mënyrë problematike, nuk është kuptuar deri në fund se çfarë paraqet si aktivitet, bëhet fjalë për një aktivitet të ndërlikuar sociologjik dhe socio-piskologjik, që duhet të punojë në njëfarë mënyre në komunikimet strategjike në institucionet publike, në sektorin e biznesit, në politikë. Ngjarja nën moton “Informo, mos dezinformo!” përbëhej prej një debati të simuluar, në të cilën u përballën gazetarë me Pi-Ar-in dhe ishte pjesë e kornizave të një projekti që e punonim tashmë gjashtë muaj në fakultet, “Mos u bënë shënjestër mediatike”, në kuadër të angazhimeve tona për arsimim mediatik, projekt ky i mbështetur nga BE-ja. Më duhet t’ju them se këto projekte na ndihmojnë shumë që t’u ofrojmë diçka plotësuese studentëve tanë. Gjithë atë që nuk mund ta ofrojmë në sistemin konvencional të arsimit në njëfarë mënyre e morëm duke luftuar që të marrim një mbështetje të këtillë para së gjithash nga BE-ja, Ambasada britanike dhe fondacionet tjera, të cilat kanë vullnet të mirë për demokratizimin e shoqërisë sonë.
Çfarë fushate prisni?
T’ju them sinqerisht si njeri i cili nga aspekti akademik merret me këtë punë nuk pres ndonjë fushatë më të ndryshme nga ato parapraket. Nuk ndjej se tani do të kemi ambient më ndryshe. Atë që na e ofroi parafushata i ngjan shumë asaj që e kishim në zgjedhjet paraprake parlamentare. Pres fushatë të keqe, kaotike, negative, me diskualifikime, të paorganizuar, meqë nuk e di se sa kandidatët tanë kanë në dispozicion ekipe cilësore, që mund ta organizojnë këtë fushatë dhe të qetësojnë atë zhurmë që krijohet në rrjetet sociale.
Ku qëndron problemi këtu, ndoshta në kulturën politike, sa është kjo në ndonjë nivel përkatës që të dimë oponentin ta diskualifikojmë në profesionalizmin e tij, e jo të hyhet në momente personale?
Njëri prej faktorëve është kultura politike, socializimi politik, i cili është i niveluar edhe në nivel global. Por, e shprehët mirë se kultura politike është një prej faktorëve, që na diktojnë se çfarë fushate do të kemi. Por, këtu nuk mendoj në kulturën politike vetëm në shoqërinë në përgjithësi, por edhe në kulturën politike të vetë politikanëve, të njerëzve, të cilët janë në këtë proces. Në gjithë këtë proces duhet të tregohet edhe njëfarë përgjegjësie sociale dhe shoqërore. Ne jemi një shoqëri problematike e tranzicionit, që 27 vite nuk mund ta përfundojë tranzicionin. Edhe këtu para së gjithash partitë politike tërë kohën duhet të tregojnë një përgjegjësi shoqërore, po edhe të tregojnë një nivel në kuadër të fushatës. Tani kemi një krizë të madhe politike, e cila në Maqedoni zgjati pesë vite dhe me të vërtetë në këtë moment duhet dhënë energji së paku para fushatës që të fillojë diçka më ndryshe. Lidhur me pritjet e mia gjithsesi nuk pres diçka radikalisht më të ndryshe nga ajo që e kam parë deri tani.
Kishim një valë të lajmeve të rrejshme gjatë periudhës së kaluar, rrëmbime, nxjerrje organesh, ujë të helmuar në Rashçe, kumtesa të paqarta për sulme të mundshme terroriste… Çfarë ndikimi kanë lajmet e rrejshme mbi qytetarin e rëndomtë?
Lajmet e rrejshme janë fenomen që mund ta ndërlidhim vetëm me Maqedoninë. E lidhim me një mjedis të ri komunikues në nivel global. Për lajme të rrejshme filloi të flitet gjatë fushatës politike 2016, gjatë Bregzitit dhe gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, kur në garën zgjedhore ishin Klinton-Tramp. Dhe atëherë filloi i gjithë ky kaos, që po ndodhë në fushën e komunikimeve të përdoren këto lajme të rrejshme. Para pesë, gjashtë ose dhjetë viteve termi ishte spin, tani kemi fejk njuz. Lajmë i rrejshëm është një fakt që është gënjeshtër. Për shembull, e shpallni një individ të vdekur, ndonëse ai është gjallë. Gjithmonë ka ekzistuar gënjeshtra në mediat, por tani rrjetet sociale na japin një mjedis ideal, një lajm i rrejshëm, të shihet, të shpërndahet. Hulumtime të ndryshme tregojnë se njerëzit ndoshta nga kapriçoja qëllimisht shpërndajnë lajme të rrejshme dhe kështu krijohet një ambient i defokusimit të mendimit publik, për shkak se qëllimi i një lajmi të rrejshëm është jo që t’ua ndryshojë qëndrimin, por t’ua largojë vëmendjen nga njëra anë në tjetrën. Ka shumë lajme të rrejshme. Në Maqedoni, gjithashtu, në rrjetet sociale ka shumë lajme të rrejshme. Këtu problemi qëndron edhe në diturinë e publikut edhe në etikën e publikut. Nga njëra anë të shikoj nëse është kjo e rrejshme ose jo, e nga ana tjetër etikë nëse unë do të shpërndajë ose do të gënjej në Internet. Lajmet e rrejshme janë një fenomen i rëndë juridiko-sociologjik. Ky është çmimi i lirisë së fjalës, që e mundësuan mediat e reja.
Kush prodhon lajme të rrejshme, ndoshta disa qendra të caktuara të fuqisë. Cilat janë qëllimet e tyre?
Secili mund të jetë kreator i lajmit të rrejshëm. Duhet të kemi vullnet dhe motiv për këtë, mund të jenë qendra të fuqisë, këtë e bëjnë PR kuzhina të ndryshme, prandaj këtu duhet pasur përgjegjësi që kjo të mos bëhet. Lajmet e rrejshme janë shumë të rrezikshme.
Si ndikojnë në qytetarin e rëndomtë?
Krijojnë ambiente të ndryshme negative, për shembull mund të jenë shkakore-pësore me gjuhën e urrejtjes. Për shembull, nëse keni një lajm të rrejshëm se emigrantë kanë dhunuar një vajzë, ju çfarë atmosfere krijoni ose nëse keni lajm të rrejshëm se një aleancë e caktuar ushtarake ka bombarduar një shtet, menjëherë krijoni një klimë të urrejtjes, të jotolerancës politike për t’i sulmuar të tjerët, krijojnë një klimë të keqe sociale dhe socio-politike të arrogancës, jotoleancës. Para së gjithash këtu është cenuar njëra prej vlerave themelore të demokracisë, e kjo është toleranca politike. Fokusi i vërtetë i demokracisë bashkëkohore është nëse i kemi ndjenjat demokratike te ne, gjegjësisht nëse jemi tolerantë në aspektin politik, a jemi efikas në aspektin politik, a e kemi ndjenjën se ne mund të vendosim fare në këtë shoqëri. Nëse dikush na i grimcon këto ndjenja ne nuk jetojmë në shoqëri demokratike. Nëse unë nuk e kam ndjenjën e efikasitetit politik se unë vendos për qytetin tim, për shoqërinë time, unë jetoj në një shoqëri jodemokratike. Lajmet e rrejshme mund të krijojnë situata të tilla, këtu është problemi i kulturës politike, problemit të përgjegjësisë mediatike.
A konsideroni se ky fenomen i lajmeve të rrejshme duhet të rregullohet në mënyrë institucionale dhe jashtinstitucionale?
Lajmet e rrejshme më së shumti fitojnë mjedis në mediumet e reja, mediat onlajn. Kjo hapësirë nuk duhet të rregullohet. Demokracia perëndimore ka qëndrim të pastër dhe të ndërtuar se paraqitja e mediave të reja, mediave që i ndërtoi interneti, rrjetet sociale, bllogjet, portalet, ato sollën një klimë të re demokratike. Të vogla janë shpenzimet për të qenë orator, monopolizimi i mediave tradicionale u reduktua. Ato janë vlerë, mirëpo filluan të paraqesin edhe efektet e tyre negative. Ne duhet të luftojmë dhe të punojmë në mënyrë më të ndryshme me lajmet e rrejshme edhe në kontekst të kësaj përgjegjësie mediatike. Fillimisht duhet të kemi etablim të informimit publik, secili që dëshiron të regjistrohet si media ta bëjë këtë dhe secila media duhet të ketë një integritet të lartë, unë e di se ajo që do ta dëgjoj në ndonjë media relevante, që do ta lexoj në ndonjë gazetë nuk guxon të jetë e rrejshme, por ka përgjegjësi institucionale. Kemi kryeredaktor, adresë fizike, e di se kë mund ta padis për këtë. Atje ka dikush që përgjigjet për ndonjë informacion, dezinformatë, lajm të rrejshëm. Pra, duhet të rregullohet informimi publik. Duhet të kemi legjislaturë mediatike që do t’i përkufizojë mirë gjërat, do t’i përkufizojë mediat. Kjo media është atje dhe mund t’i besohet, kjo është e lirë. Duhet të kemi ligje të mira që do të mbështeten në vlerat evropiane, që i kemi në direktivat dhe rregullativa dhe këtë ta përfshijmë në legjislaturën tonë. Këtu janë edhe standardet profesionale dhe profesioni i gazetarisë. Gazetaria duhet të etablohet, e jo të rregullohet, të kemi një profesion të fuqishëm të mbrojtur nga sindikatat, përmes shoqatave cilësore të gazetarëve, kuadrit cilësor, të keni filtra, t’i keni atje njerëzit më të mençur. Nëse kam një tekst të mirë, që do ta lexoj, a mund të lexoj statuse në rrjete sociale. Ja, në kontekst të fushatës presidenciale nëse më ofrojnë, nëse kam një intervistë perfekte me një kandidat presidencial, do të bien poshtë të gjitha ato bllogje, portale, që merren tani për shembull me njërin prej kandidatëve, për shembull se djali i saj ka interpretuar me fyell, gjë që sipas meje është jothelbësore. Gazetarët duhet të merren me problematikën thelbësore, çfarë ofron kandidati, institucioni president, gazetari hulumtuese, një artikull cilësor, çfarë pozicioni ka Presidenti në shtet.
Profesoreshë, qytetarët e rëndomtë sikur më shumë bien pre e diskreditimeve të këtilla në nivel personal?
Ky është senzacionalizmi, që do të mbetet gjithmonë, këtu duhet punuar në arsimimin mediatik te qytetarët e rëndomtë. Përmes sistemit të arsimit të kemi qytetarë të vetëdijshëm. Kur isha më e re bleva një libër të një autori francez Zhan Gone në Panairin e Librit në Beograd në temën media dhe arsim dhe që prej atëherë mësova se në vitet e ’60-ta vendet evropiane punojnë në këtë problem. Që në komunikimin personal dhe profesional në njeri duhet të mësojë të renditë lajme, cilat instrumente t’i njehë. Këtë duhet ta mësojmë në shkollë. Këtë duhet ta mësojnë të gjithë, të fillohet nga arsimi fillor, ta modernizojmë arsimin, të përfshijmë këtë dituri në arsimin. Ky është problem i pedagogëve se si do ta bëjnë këtë në Maqedoni. Nuk duhet të mësoni vetëm të punoni në kompjuter. Duhet të zhvilloni qëndrim kritik ndaj të gjitha informacioneve, ndaj çdo gjëje që vjen, varshmëria prej lojërave, cilat filma t’i shikoj, si filmi horor të mos na krijojë çrregullime psikologjike. Arsimimi mediatik është një problem kompleks dhe nevojitet arsim që në vegjëli. Koncepti fillon prej moshës pesë vjeçe. Në vendet evropiane fëmijët e mësojnë këtë që në çerdhe.
Cilat vende mund t’i përmendni si vende që e kanë sjellë arsimimin mediatik prej fillimit të arsimit?
Holanda, Suedia, Gjermania janë shembuj të mirë. Gjermania e mësuar nga ajo që ndodhi në Luftën e Dytë Botërore në programet e tyre mësimore që në vitet e ’80-ta ka se si të mbroheni nga shoqëria konsumatore, nga reklama. Këtu duhet doemos të përmendet edhe arsimimi digjital, kjo është një prej tetë kompetencave për mësim të përjetshëm në Bashkimin Evropian. Këtë ne duhet ta bëjmë përmes Ministrisë së Arsimit, përmes Byrosë për Zhvillimin e Arsimit. Kemi shumë njerëz cilësor, të cilët punonin në shumë projekte serioze dhe duhet institucionet tona të hapen dhe të reagojnë më shpejt ndaj këtyre rekomandimeve.
A hasni në mirëkuptim në Ministrinë e Arsimit se sa është e rëndësishme që kjo lëndë të vendoset nga klasa e parë. A ekziston mundësi reale që kjo të ndodhë në kohë të afërt?
Nëse flasim në mënyrë individuale, e jo sistemore, jemi takuar me disa njerëz nga Ministria dhe gjithçka është shumë mirë, ka dëshirë. Mirëpo, nuk bëhet asgjë. Sistemi ende nuk është përgjigjur ashtu siç duhet të përgjigjet ndaj një problemi të këtillë. Përndryshe e gjithë kjo nuk është vetëm në arsimin dhe prandaj arsimimi digjital si segment i fuqishëm i arsimimi mediatik është vendosur në kompetencat rrënjësore për mësim të përjetshëm. Një njeri derisa të jetë gjallë edhe në moshën 65 dhe 70 vjeçare duhet të trajnohet të jetë i arsimuar në aspektin digjital. Kjo nuk vlen vetëm për politikën, ne më së shumti flasim për politikën, por lajme të rrejshme ka edhe në ekonomi edhe në biznesin e spektaklit. Këtu është edhe mbrojtja e të dhënave personale, si ta dozoj privatësinë time në rrjetet, kjo është një botë e madhe, nuk është vetëm politika. Nevojitet punë shumë serioze në profilet psikologjike të njerëzve, meqë jetojmë në një kohë mediatike. Dy prindër qëndrojmë në shtëpi me telefona dhe fëmija është me telefon, kemi një ambient tjetër. Ne duhet doemos si shoqëri të dimë se si të sillemi, të shohim se çfarë fitojmë, e çfarë humbim.
Për fund do të doja të na tregoni se si qytetari i rëndomtë të dallojë lajmin e rrejshëm gjatë fushatës presidenciale, por edhe në përgjithësi?
Tani do të ketë shumë lajme të rrejshme në prag të zgjedhjeve. Ne kemi fatin që jetojnë në një shoqëri, në të cilën më lehtë kontrollohen informacionet, funksionon komunikimi interpersonal. Ende jemi patriarkal dhe ende televizionin e kemi burimin kryesor – TV ditarët qendrorë, me këtë mbrohemi në njëfarë mënyre. Diçka që do të shpërthejë si lajm i rrejshëm, jeton shkurt, kuptohet se do të ketë edhe gënjeshtra më të strukturuara për të cilat do të duhet kohë që t’i zbulojmë. Të kontrollojmë më shumë burime për ndonjë lajm, e kemi edhe atë pluralizmin politik. Në raportin më të ri të Departamentit të Shtetit për gjendjen me të drejtat e njeriut është përcaktuar një balancim i caktuar i mediave të pushtetit dhe atyre opozitare me fuqi të njëjtë dhe në këtë pjesë do të mund t’i krahasojmë lajmet, të shikojmë më shumë programe informative dhe të jemi pak më skeptik, të zhvillojmë një skepticizëm. Këtë skepticizëm, analizë dhe qëndrim kritik duhet doemos ta ndërtojmë.(koha.mk)