Jasir Asani mbetet një emër i lakmuar nga Partizani si në merkaton e verës së shkuar, por edhe tani. Në verë të kuqtë nuk arritën ta bënin të tyre sulmuesin shqiptar nga Maqedonia, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë ngjyrat e Shqipërisë. Gjatë merkatos së verës, Vardari kërkoi 200 mijë euro për kartonin e Asanit, por Partizani thuhet se ofroi deri në 150 mijë. Duke parë që Jasir Asani nuk pranoi rinovimin e kontratës me Vardarin, të kuqtë iu rikthyen sërish pistës së sulmuesit nga Shkupi. Në ditët e fundit të dhjetorit, Asani në një prononcim për “Panorama Sport” pranoi nisjen e bisedimeve me të kuqtë dhe dha shpresa për t’u veshur i kuq që në merkaton e janarit. “Është e vërtetë që prej ditësh kam nisur bisedimet me Partizanin, por ende nuk ka një akord mes palëve. Gjithsesi, gjasat janë që në janar të jem pjesë e Partizanit. Në ditët në vijim pritet që të kem një vendim më të qartë për të ardhmen time, pasi kam oferta edhe nga klube të tjera”, u shpreh 21-vjeçari për “Panorama Sport”. Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga ky prononcim, palët për momentin duken më shumë larg se afër me njëri-tjetrin. Ashtu si në verë, edhe tani pengesë për mosafrimin e Asanit te “demat” mbetet kontrata që sulmuesi ka me Vardarin e Shkupit, kontratë e cila përfundon në fund të këtij edicioni. Që Jasir Asani të vishet i kuq, Partizani duhet të derdhë sërish diçka në arkat e klubit maqedonas, pasi palët nuk i kanë shkëputur përfundimisht marrëdhëniet me njëri-tjetrin.