Me gjërat që kanë shkuar keq e më keq për Monacon këtë edicion, klubi e dinte se duhej të merrte veprime drastike nëse donte të ruante statusin në Ligue 1 edhe për edicionin e ardhshëm.
Kështu tre muaj pas shkarkimit të trajnerit Leonardo Jardim shkaku i rezultateve të dobëta dhe emërimit të Thierry Henrys, klubi i principatës tashmë ka larguar francezin për të ripunësuar teknikun portugez.
Jardim duket të jetë njeriu i vetëm që mund ta shpëtojë klubin. Henry në 20 ndeshje sa e drejtoi Monacon nuk arriti ta ndryshojë situatën, pasi e la në pozitën e parafundit në tabelë. Nën drejtimin e tij, Monaco regjistroi katër fitore, pesë barazime e plot 11 humbje. Me trajnerin e përkohshëm Franck Passi që ishte i ngarkuar për ndeshjen e fundit kampionale, Monaco humbi 2:0 në udhëtim nga Dijoni dhe me këtë i bëri me dije Jardimit se e pret një punë shumë e vështirë.
“Unë nuk jam person që ua kthen shpinën atyre që më ndihmuan kur para pesë vjetësh erdha nga Sportingu. Mendoj se me disa ndryshime të vogla dhe me punë, të gjithë së bashku mund ta shpëtojmë klubin”, ka thënë Jardim. (Koha Ditore)