Tetovë, 7 nëntor – Ambasada e Japonisë ndihmon spitalin Klinik të Tetovës me një autoambulancë të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme shëndetësore. Marrëveshja për këtë donacion është nënshkruar nga ana e Ambasadores së Japonisë në Maqedoninë e Veriut, Keiko Haneda dhe drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi. Me këtë rast, drejtori Besimi theksoi se automjeti do të jetë në shërbim të qytetarëve.
“Spitali Klinik i Tetovës falënderon Ambasadën e Japonisë, e cila miratoi donacion për përmirësimin e shërbimeve në shëndetësi. Me këtë rast, spitalit tonë shteti japonez i ndanë një automjet sanitar që është i pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme mjekësore. Ne zotohemi se ky automjet do të jetë në shërbim të qytetarëve të Tetovës dhe rrethinës”, deklaroi Besimi.
Ambasadorja e Japonisë në vend, Keiko Haneda theksoi se në 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë, Japonia gjithnjë ka zhvilluar marrëdhënie miqësore duke ndihmuar sferën e shëndetësisë.
“Edhe në të kaluarën Japonia u ndihmoi qendrave mjekësore dhe shkollat fillore në Tetovë me pesë projekte. Sot jam e lumtur që jam këtu, për grant-projekt të ri në Spitalin Klinik të Tetovës, për të siguruar autoambulancë të re për ndihmën e shpejtë. Ky do të jetë granti i dhjetë që Japonia ndanë për Maqedoninë e Veriut për përmirësimin e shërbimeve mjekësore për të gjithë qytetarët”, tha ambasadorja Keiko Haneda. (koha.mk)