Një notar francez ka nisur nga Japonia rrugëtimin e tij të çmendur me not duke synuar të bëhet personi i parë që kalon Oqeanin Paqësor.
Ben Lecomte, 51 vjeç, do të notojë për tetë orë në ditë për më shumë se gjashtë muaj teksa i drejtohet bregut perëndimor të SHBA.
Ai do të përballet me rreziqe duke përfshirë peshkaqenë, stuhi, tufa kandilësh deti dhe temperaturat jashtëzakonisht të ulëta të ujit. Me nismën e tij ai shpreson të rrisë ndërgjegjësimin për ndryshimet klimatike, dhe një ekip shkencëtarësh do të kryejë kërkime gjatë notit në 5,500 milje (9,000 km).
Ata do të studiojnë mbeturinat plastike, efektin e stërvitjes ekstreme në zemër dhe do të shqyrtojnë se si fatkeqësia bërthamore e Fukushimas ka ndikuar te oqeani.
Lecomte, i cili jeton në SHBA, është duke u përgatitur me orët e notit në ujë të hapur çdo ditë, përcjell “Shqip”. Ai gjithashtu ka praktikuar ushtrime për “vizualizim dhe shkëputje” për të siguruar që është i përgatitur mendërisht.
“Pjesa mendore është shumë më e rëndësishme sesa ajo fizike”, tha ai për agjencinë e lajmeve AFP.
“Duhet të sigurohem që gjithmonë të mendojë për diçka pozitive. Kur nuk keni asgjë për të mbushur mendjen tuaj ajo shkon në një lloj spirale, dhe këtu fillojnë problemet”, thotë ai.
Përgatitjet për udhëtimin kanë zgjatur më shumë se gjashtë vjet, por Lecomte e ka synuar realizimin e kësaj sfide për më shumë kohë.
Në vitin 1998, ai realizoi për të parën herë me not kalimin trans-atlantik duke notuar për 6.400 km (4.000 milje) në 73 ditë. Kur në fund arriti në tokë të thatë në Francë, fjalët e tij të para ishin “kurrë më”, por shpejt kërkoi një sfidë të re.
“Nuk zgjati shumë dhe unë ndryshova mendje”, tha ai për NPR. “Unë tashmë po mendoj për aventurën time të ardhshme “.
Rutina e përditshme e Lecomte do të mbetet pothuajse e njëjtë për të gjithë udhëtimin. Ai do të notojë për tetë orë, do të hidhet në bordin e anijes mbështetëse për të ngrënë dhe për të fjetur, dhe pastaj përsëri do të hyjë në ujë.
Për të mbajtur nivelet e larta të energjisë, ai synon të konsumojë 8,000 kalori në ditë.