Gjatë ditës u raportua se mMesfushori nga Kosova, Adnan Januzaj, që është në pronësi të Manchester Unitedit e i huazuar te Sunderlandi, duket se më në fund ka vendosur për të ardhmen e tij. 21-vjeçari me prejardhje nga Istogu e që u lind në Belgjikë, ka qenë pjesë e përfaqësueses belge me të cilët ka pasur gjashtë paraqitje në karrierën e tij, por se nuk ka lënë gjurmë. Portali “Express.co.uk” që e ka cituar të përditshmen belge DH, ka shkruar se Januzaj i ka thënë sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihut, se dëshiron të luajë për Kosovën në të ardhmen, por që kjo është mohuar nga vetë Salihu.
Edhe nën kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka mohuar një gjë të tillë. Ai i ka thënë Gazetës Express se nuk ka ardhur në drejtim të FFK-së asgjë në lidhje me Januzajn. “Nuk është e vërtetë kjo që është thënë. E vërteta është se Januzaj nuk është pjesë e Kosovës. Januzaj ka adresë ku mund ta bëjë këtë dhe ajo adresë është FFK-ja, por deri më tani nuk ka asgjë të vërtetë”, tha Ademi. “Të gjithë kanë qenë të mirëpritur dhe neve na duhen lojtarët atëherë kur Kosova ka nevojë më së shumti. Besoj se tani është krijuar një grup shumë mirë”, shtoi ai.