Adnan Januzaj u shfaq i destinuar për një të ardhme të ndritshme në Angli, kur mbërriti në “Old Trafford”, nën drejtimin e David Moyes. Paraqitjet e tij të hershme ishin aq të mira, sa krijuan pritshmëri të mëdha për anësorin 24-vjeçar, tashmë, transmeton Periskopi, përcjellë gazeta KOHA.
Januzaj shpejt e pa veten “tepricë” te Manchester United, ndaj u huazua te Borussia Dortmund dhe Sunderland, përpara se të siguronte kalimin e përhershëm te Real Sociedad, në vitin 2017. Ai e ka rindërtuar reputacionin e tij në Spanjë, çka e pohon në intervistën e dhënë për “The Telegraph”:
“Në Spanjë, shumica e skuadrave përpiqen të luajnë nga mbrapa. Është mirë të kesh përreth lojtarë, që kënaqen me topin, e qarkullojnë mirë atë. Kjo të ndihmon, e bën sulmin më të lehtë, bën bën ndryshimin”.
Januzaj beson se përparimi i tij te Manchester United u trondit nga ardhja e Van Gaal, me trajnerin holandez që nuk besoi te talentet: “Unë u rrita atje, isha vërtet i lumtur, derisa një moment pata luftë të madhe me trajnerin. Kjo më ngadalësoi. Gjithmonë e dija se i kisha të gjitha cilësitë për t’i kthyer gjërat në favorin tonë. Problemi ishte se Van Gaal nuk po më aktivizonte. Sa herë që hidhesha në fushë, ishte e vështirë të ndryshoja lojën, ose të bëja diçka të ndodhte, sepse nuk kisha besimin e trajnerit. Atëherë, imagjinoni të kaloni një vit në këtë situatë!”
Januzaj shënoi kundër Anglisë gjatë ndeshjes së fazës grupore të Kupës së Botës 2018, ndërsa e pa veten pjesë të belgëve edhe në “play-off”, për vendin e tretë: “Jam i lumtur, sepse kam luajtur në dy Kupa Bote, kam shënuar edhe kundër Anglisë. Kësisoji, iu tregova njerëzve se kundër një kombëtareje angleze, lojtarët e së cilës luajnë të gjithë në Premier League, ende mund të bëj ndryshimin. Ishte një moment i mirë”.