Bruksel, 16 tetor – Lajmet e rreme me të cilat mohohet rreziku nga koronavirusi, të cilat në Evropë përhapen kryesisht përmes rrjeteve sociale, ndërsa edhe në Slloveni, për fat të keq, përmes mediave kryesore, po e detyrojnë Evropën dhe disa vende të ndërmarrin masa më të rrepta se që është e nevojshme, deklaroi sot në Bruksel kryeministri slloven, Janez Jansha.
Në prag të ditës së dytë të Samitit të BE-së, Jansha tha se liderët e vendeve anëtare ditën e parë folën shumë rreth mënyrave për t’i luftuar lajmet e rreme në drejtim të mohimit të rrezikut dhe mohimit të vetë ekzistencës së virusit, transmeton STA.
“Kjo shkakton dëm të madh në luftën tonë të përbashkët kundër përhapjes së koronavirusit në nivelin evropian dhe kombëtar dhe po e detyron Evropën dhe vende të tjera të ndërmarrin veprime më të ashpra sesa do të ishte e mjaftueshme pa lajme të rreme dhe përhapje masive të mohimeve krejtësisht joshkencore dhe jologjike”, theksoi Jansha.