Shkup, 29 qershor – Gjykimi i ish ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankulovska për lëndën e Prokurorisë Speciale Publike “Tanku” është shtyrë për 29 gusht, sepse ajo është në pushimin e lehonisë.
Mbrojtja e Jankulovskës sot deri tek Gjykata dorëzoi dokumentacionin e saj mjekësor.
Gjykatësja Dobrila Kacarska në seancën e kaluar caktoi 25 seanca të reja deri në tetor të këtij viti.
Jankulovska gjykohet në procedurë të ndarë në lëndën “Tanku”, sepse kishte shtatzëni të rrezikshme.
Për këtë rast ish ndihmësi i ministrit në MPB Gjoko Popovski u dënua me gjashtë vite e gjashtë muaj burg, ndërsa ish kryeministri Nikola Gruevski si nxitës për kryerjen e veprës është dënuar me dy vite burg.
Rasti “Tanku” ka të bëjë me blerjen e “mercedesit” luksoz me vlerë prej 600 mijë eurosh.