Shkup, 23 korrik – Me shumë përgjegjësi pohoj se në asnjë mënyrë, e as me vetëdije, e as pa vetëdije, as me veprim, e as me mosveprim nuk e kam keqpërdoruar detyrën të cilën për momentin ende e kryej dhe publikisht i inkurajoj organet gjyqësore që deri në fund t’i zbardhin të gjitha rrethanat për rastin “Zhvatja”, njofton Koha.mk
Këtë sot në konferencë për shtyp në PSP e tha prokurorja në dorëheqje Katica Janeva. “E vërtetë është se shumë persona nga jeta politike dhe publike njihemi me Bojan Jovanovskin. Nuk e kam fshehur se djali im punon në 1TV dhe në baza ditore komunikon me personin i cili është i dyshuar, por kjo nuk do të thotë se dikush ka përfituar të drejtën ta shfrytëzojë detyrën time zyrtare që të realizojë privilegje dhe aktivitete joligjore”, tha Janeva duke shtuar se pret procedurë transparente që t’u jepet fund të gjitha informacioneve për siç tha, ,dikush tenton ta dëmtojë imazhin dhe nderin e saj.
Tha se një kohë shumë të gjatë deri te ajo arrijnë zëra se jo vetëm Bojan Jovanovski por edhe shumë të tjerë pa e ditur, e kanë keqpërdorur emrin dhe mbiemrin e sa për qëllime të ndryshme.
Janeva thotë se ishte e vetëdijshme se me marrjen e këtij funksioni do të jetë cak i sulmeve të ndryshme dhe zënkave politike.
“Që nga momenti i zgjedhjes së prokurorit special publik, biografia ime profesionale, jeta private dhe familja ime ishin cak i sulmeve të vazhdueshme me devalvimin dhe përfshirjen në zënkat ditore-politike. Nuk dëshiroj të lë përshtypje të gabuar. Fillova funksionin e prokurorit special në rrethana të vështira, e vetëdijshme se do të jem cak i sulmeve për diskreditim tim personal”, tha Janeva.
Thirrja që t’i shërbejë shtetit, siç tha Janeva, dhe të kryesojë ekip profesional i cili merret me korrupsion të lartë ku janë përfshirë funksionarë më të lartë shtetërorë, është nder serioz dhe përgjegjësi shumë e madhe.
Ajo i kërkoi falje opinionit që një kohë të gjatë nuk ka dalë publikisht edhe pse, siç theksoi, nuk e ka pasur të lehtë që ta ndjekë linçin publik.
“Vendosa se me asnjë veprim timin të krijoj përshtypjen se po bëj presion ose përziem në veprimet hetuese”, tha Janeva.
Ajo përkujtoi se tashmë e ka dorëzuar dorëheqjen, e cila do të bëhet aktive atëherë kur partitë politike do të merren vesh për zgjidhjen e re ligjore për statusin e PSP-së.
“E dorëzova dorëheqjen sepse nuk dua të përdorem si alibi i dikujt për integrimet evropiane, por konfirmoj se në asnjë mënyrë nuk do të ndikoj në rezultatin përfundimtar për rastin “Reket”. PSP-ja është më e madhe dhe më rëndësishme se funksioni im i tanishëm, ishte dhe besoj se do të mbetet simbol i betejës së pamëshirshme kundër korrupsionit të lartë dhe krimit. Lë si trashëgimi dhjetëra raste të mbyllura, të gatshme për procesim të shpejtë. Ato lëndë do t’i japin përgjigje opinionit se dikush me të gjitha forcat tentonte të pengojë rizgjedhjen time dhe me hajkë të paparë mediatike po tenton ta dëmtojë edhe imazhin e PSP-së”, përfundoi Janeva në deklaratën për mediat të dhënë në PSP. (koha.mk)