Janeva: Mandati i PSP-së zgjat pesë vite dhe sigurisht do të na shihni edhe në hetime tjera

Shkup, 21 mars  – Prokurorja Speciale Publike Katica Janeva, e pyetur se si hap hetime të reja kur nuk ka mandat për këtë, tha se PSP-ja sipas Ligjit për vepra penale ka të drejtë të ngrejë akuza dhe të  veprojë. Pret që së shpejti të zgjidhet çështja për statusin e PSP-së dhe siç tha, kjo sa më shpejtë që është e  mundur të vazhdojë me punën e saj.

“Në tentojmë që të luftojmë kundër krimit që është kryer nga viti 2008 deri në vitin 2015 në bazë të bisedave tona të përgjuara. Mandati na zgjat pesë vite dhe kjo nënkupton deri në vitin 2020 dhe sigurisht do të na shihni në hetime dhe lëndë tjera”, deklaroi Janeva në konferencën e sotme për media në PSP.

E pyetur nëse janë kërkuar masa për rastet “Regjistrimi”, “I fuqishmi” dhe “Aktori” të cilat sot i publikoi PSP-ja,Katica Janeva ,tha se për momentin nuk janë kërkuar masa për të dyshuarit.

E pyetur nëse Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski janë marrë në pyetje në kuadër të procedurës parahetimore në lëndën “Regjistrimi”, Janeva tha se nuk kanë qenë në lëndë si dëshmitarë.

“Tani vlerësojmë se do të thirren në mënyrë adekuate në bazë të dispozitave ligjore”, tha Janeva.

Për hetimin për “Aktorin”, ajo tha se në dëgjim thirren persona të cilët në këtë moment janë të qasshëm për PSP-në.

“Fillon hetimi. Zyrtarisht do të merren deklarata nga dëshmitarë, për të dyshuar dhe për persona juridik dhe në bazë të kësaj do të kërkohen edhe masa nga Gjykata. Në këtë fazë duhet t’u them se ndihma juridike ndërkombëtare u vendos në periudhën e kaluar dhe shpresoj se kjo do të jetë së shpejti, sepse me Republikën e Greqisë kemi edhe hetime paraprake dhe persona të akuzuar të cilët janë atje dhe e gjithë kjo është në fazën e bisedimeve dhe në bazë të ndihmës juridike ndërkombëtare”, tha Janeva.

Në pyetjen e gazetarëve, Janeva konfirmoi se është ngrirë prona e djemve të ish deputetes dhe anëtare e KSHZ-së Silvana Boneva, në lidhje me hetimin që PSP-ja e hapi në dhjetor të vitit të kaluar kundër saj për keqpërdorim të shpenzimeve të rrugës.

“Po, bëhet fjalë për kërkesën tonë dhe Gjykata solli vendim”, deklaroi Janeva.

Janeva theksoi se në periudhën që pason, gjithçka që do të ndërmarrin në këto hetime, do të bëhet publike.