Në vend deri dje kundër Kovid-19 janë vaksinuar 764 punonjës shëndetësorë. Imunizimi i punonjësve shëndetësorë me vaksinën e prodhuesit “Fajzer” po zhvillohet në spitalin modular në Klinikën për sëmundje infektive, ku janë vendosur gjashtë pika vaksinimi dhe punohet në dy turne nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 20 nga e hëna deri të shtunën.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dje deklaroi se pritet deri në fund të muajit të arrijnë edhe vaksinat tjera.
“Tashmë funksionon mirë sistemi i terminëve, afër 95 mijë qytetarë janë paraqitur përmes faqes vakcinacija.mk ose përmes mjekëve amë. Prej tyre 44 mijë janë qytetarë të moshës mbi 70 vjet me sëmundje kronike, pra ato janë grupi i parë prioritar i qytetarëve që duhet të vaksinohen pas kuadrit mjekësor. Menjëherë kur do të arrijnë vaksinat, për dallim nga vaksinat e tashme ato do të shpërndahen deri te pikat e vaksinimit në vend dhe do të fillojë vaksinimi masiv i popullatës”, tha ministri Filipçe.
Ai theksoi se do të bëhet vlerësim nëse duhet të furnizohen edhe sasi të përshtatshme të vaksinës ruse kundër Kovid-19.
Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se vendi ka porositur vaksina kundër Kovid-19, aq sa Komisioni për shëndetësi tregon sipas vlerësimit të tyre se është i mjaftueshëm për imunizimin kolektiv që të arrijë deri te popullata.
“Ashtuqë përfundimisht kemi bërë hap, kemi nënshkruar marrëveshje, diku kemi paguar paradhënie ose ngjashëm që të sigurojmë ato sasi. Nëse vazhdojmë të porosisim vaksina ‘Sputnik’, ajo që pason është me siguri ‘Astra Zeneka’, pastaj sasi të reja të ‘Fajzerit’, pastaj sasi të reja nga ‘Sinofarm’ dhe do të hasim të ketë pesë milionë vaksina në shtet. Ajo është e palejueshme për shkak të shpenzimit racional të parave publike. Prandaj kemi bërë marrëveshje aq sa kemi nevojë konform planit kombëtar për vaksinim të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nëse dështon një pjesë e porosive dhe anulohet një pjesë e porosive me siguri ajo që pason si porosi është vaksina ‘Sputnik’”, tha Zaev.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dje akuzoi se praktikisht nuk ka asnjë komunikim ndërmjet Qeverisë dhe vendeve prodhuese të vaksinave, mes të cila është edhe Rusia.
Sipas tij, nuk ka rëndësi origjina e vaksinave “qoftë nga Kina, qoftë nga Rusia, qoftë nga Bashkimi Evropian, ose nga SHBA-ja”. “Vaksina duhet të sillet sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ata qytetarë që duan të vaksinohen të vaksinohen, të shpëtojmë më shumë jetë, të shpëtojmë shëndet”, tha Mickoski.
Të dhënat e djeshme të Institutit për shëndet publik tregojnë një rritje të lehtë të numrit të të sëmurëve nga Kovid-19. Sipas raportit të djeshëm, në 24 orët e kaluara janë evidentuar 449 raste të reja nga Kovid-19, 277 pacientë të shëruar dhe 10 persona të vdekur.
Numri i rasteve aktive në vend është 6.735, prej të cilëve 2.952 janë në Shkup. Numri i përgjithshëm i pacientëve pozitivë dhe të dyshimtë në koronavirus të cilët mjekohen në repartet infektive në vend është 622, ndërsa ka rreth 420 shtretër të lirë në kovid qendrat.
Që nga fillimi i epidemisë së koronavirusit në vendin tonë gjithsej janë regjistruar 99.031 persona të sëmurë, numri i pacientëve të shëruar është 89.249, numri i viktimave është 3.047.