Shkup, 18 korrik – Agjencia për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar ka dhënë mbi 100.000 copë tekstil, këpucë, materiale për zyra, aparate për amvisëri dhe sende të tjera 26 institucioneve, mes të cilave edhe Ministrisë të Punës dhe Politikës Sociale, komunave, shkollave, Kryqit të Kuq, Komisionit për marrëdhënie mes bashkësive dhe grupeve religjioze, si dhe për nevojat e manastireve dhe BFI-së, njofton Koha.mk
Drejtori i Agjencisë, Faton Asani, gjatë ndarjes së mallrave të konfiskuar theksoi se për atë ka vendime të plotfuqishme dhe se pjesa më e madhe është konfiskuar nga Drejtoria e Doganave. Në këtë mënyrë, tha, u ndihmohet këtyre institucioneve dhe kursehen mjete nga shteti.
Asani potencoi se rreth 30.000 copë mallra të ndryshëm u janë shpërndarë institucioneve edhe vitin e kaluar. “Kur erdha ta drejtoj këtë institucion ka pasur gjashtë milionë copë mallra të konfiskuara nga Drejtoria e Doganave. Arritën t’i ulim në katër milionë, ndërsa shpresoj se së shpejti do t’i ulim në dy”, tha Asani.
Ai me këtë rast shtoi se Agjencia punon edhe në lidhje me trajtimin e automjeteve të konfiskuara. Që të pastrohen tha , njëjtë si për mallrat tjerë është e nevojshme të ketë vendime fuqiplota për marrjen, por edhe nëse ka vendime të tilla, të gjenden automjetet dhe të bëhet vlerësim nëse kanë vlerë apo mund të dhurohen ose shiten për hekur.(koha.mk)