Janë mënjanuar të gjitha defektet, shpresë për tetovarët se do të normalizohet furnizimi me ujë

30

Tetovë, 7 gusht – Tetovarët sonte mund të presin normalizim komplet të furnizimit me ujë pasi sot vonë pasdite përfundoi mënjanimi i defektit në parkun e Xhamisë së Pashës. Pas nëntë orë punë në orën 17 përfundoi ndryshimi i gypit të pëlcitur të ujit f300.

“Ka përfunduar ndërrimi i gypit të pëlcitur me gyp të plastikës. Pas vendosjes së gypit të ri është lëshuar në përdorim e gjithë linja e gypave e cila është e rëndësishme për furnizimin me ujë të 15 për qind të qytetit si lagjet Bllok 70 dhe një pjesë e ‘Përzhova Bavça” si dhe objektet në rrugët ‘Vëllezërit Milladinovci” dhe ‘Gjorçe Petrov’, të cilat deri më tani nuk kanë ujë. Varësisht përmbushjes së sistemit dhe gypave me ujë do të normalizohet furnizimi me ujë edhe në lagjet ku një kohë të gjatë kishte ndërprerje në marrjen e ujit për pirje”, informoi Lulzim Shaqiri nga Ujësjellësi dhe Kanalizimi.

Tetova tri ditë përballej me ndërprerje në furnizimin me ujë pasi dy defekte u paraqitën në gypat e ujësjellësit f300 të cilat janë kategoria e dytë për nga madhësia dhe të rëndësishme për rrjedhën e sasive të mëdha të ujit. Të mërkurën dhe të enjten rreth 90 për qind e qytetit kishte ndërprerje në furnizimin me ujë.

Comments are closed.