Shkup, 11 korrik – Mile Janakievski, i akuzuar në më shumë lëndë të Prokurorisë Speciale Publike dhe të Prokurorisë për krim të organizuar, gati se për çdo ditë paraqitet në Gjykatën Penale të Shkupit. Por siç duket, ka raste kur edhe vetë nëpunësit policor janë të “lodhur” nga transportimi i shpeshtë i Janakievskit në gjykatë, shkruan gazeta KOHA.
Ndonjëherë ndodhë që harrojnë ta sjellin në gjykatë. Kështu ndodhi edhe ditën e enjte në lëndën gjyqësore “Toplik”, ku ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski me vonesë u soll në gjykatë. Megjithatë, ajo nuk u zhvillua, sepse mungoi një anëtar i Këshilli penal dhe i akuzuari tjetër Dimitar Dimovski. Për keqpërdorimet që janë bërë gjatë shitjes së truallit për “Qytetin e Diellit”, prapa Malit Vodno, PSP e ngarkon direkt Janakievskit si kokën e gjithë malverzimeve me Komisionin për furnizime dhe firmat që është dashur ta marrë tenderin e punimeve. Seanca e radhës për rastin “Toplik” është caktuar të mbahet me 6 shtator. Gjatë kësaj jave ish-ministri Janakievski në gjykatë u paraqit edhe për rastin “Trajektorja” e cila po ashtu u anulua për në shtator. Ndryshe, dhjetë ditë më parë me urdhër të Prokurorisë për krim të organizuar, Janakievski dhe dhjetë të dyshuar tjerë u arrestuan nën dyshimin se gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet, kanë keqpërdorur mjete buxhetore. Si rezultat i këtij aksioni policor, ai nga paraburgimi shtëpiak u dërgua në burgun hetues të Shutkës.
Deri më tani, Janakievski shumë shpesh ka lëvizur në relacion shtëpi-burg. Fillimisht ishin rastet e PSP-së ata që e dërguan atë në burgun hetues. Në një rast, ai ishte pjesë e një zënke me disa pjesëtarë të grupit të Kumanovës. Dhe për këtë arsye u la i lirë të shkoj në shtëpi. Ai po ashtu është pjesë e grupit të dyshuar për organizimin e ngjarjeve të 27 prillit, ku bëjnë pjesë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, dhe ish-kryeparlamentari, Trajko Veljanovski. I ballafaquar me gjithë këto akuza së fundmi Janakievski ka filluar të mbajë grevë urie dhe disa ditë me radhë refuzon ta pranoj ushqimin e burgut hetues të Shutkës. Ndaj tij janë kryer edhe kontrolle mjekësore. (koha.mk)