Shkup, 15 nëntor – Ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski ka kërkuar sot amnisti nga presidenti Ivanov. Janakieski, i akuzuar në dhjetëra lëndë të Prokurorisë Speciale, shpreson se bashkëpartiaku i tij, presidenti Ivanov mund ta shpëtojë nga Shutka. Siç raporton Telma TV, Janakievski ka thënë se nëse Ivanovi nuk e amniston, atëherë ai do të ndjek rrugën e Gruevskit.
Megjithatë, shkruan gazeta KOHA, janë disa lëndë për të cilët presidenti dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të amnistojë. Dënimet për “pedofili”, “vrasje mizore”, “parregullsi zgjedhore”… janë disa nga veprat që nuk përfshihen në të drejtën e presidentit për amnisti. Kështu që, duke marrë parasysh se Janakieski është ndër të akuzuarit e parë në lëndën “Titanik”, lëndë kjo që merret me vjedhjet dhe manipulimet në zgjedhjet parlamentare dhe lokale gjatë vitit 2013 dhe 2015, zor se Ivanovi do të marrë guximin ta amnistojë atë.
Ndryshe, ditë më parë, pas arratisjes së Gruevskit drejt Hungarisë, Gjykata Penale e Shkupit, me kërkesë të PSP-së, i shqiptoi masën e paraburgimit ish-ministrit Janakieski dhe ish-sekretarit gjeneral të Qeverisë, Kiril Bozhinovski. Për Janakieskin, dëshmia më e fortë për paraburgim ka qenë llogaritë financiare jashtë shtetit, gjë që ka ndjell dyshime se i njëjti mund të arratiset. Që të dy u dërguan me pranga në Shutkës, ndërsa me pranga sot janë sjellur edhe para gjykatës, në vazhdimin e lëndëve gjyqësore “TNT”. (koha.mk)