LeBron James dhe Los Angeles Lakers kanë rënë dakord për vazhdimin e kontratë edhe për dy vjet tjera ndërsa basketbollisti do të përfitojë edhe 85 milionë dollarë deri në edicionin 2022/23, i ka thënë menaxheri i tij Rich Paul disa mediumeve të mërkurën.
James që më 30 dhjetor e feston ditënlindjen e 36-të, pati mesatare me 25.3 pikë, 10.2 asistime, më së shumti në NBA, dhe 7.8 kërcime në 67 ndeshje në sezonin e shkuar. MVP-ja i katërfishtë e fitoi kampionatin e katërt në NBA, duke e fituar edhe çmimin si lojtari më i vlefshëm i finaleve kur fitoi ndaj Miami Heatit. James nënshkroi kontratë katërvjeçare me vlerën e 153.3 milionë dollarëve me Lakersin në korrik të vitit 2018-të, përfshirë dhe 41 milionë dollarë tjera të opsionit për edicionin 2021/22.
Kjo do të bënte që ai të ishte basketbollist i lirë në verën tjetër. Sipas ESPN-it, James tani pritet të arkëtojë 39.2 milionë dollarë në sezonin 2020/21, 41.2 milionë dollarë në sezonin 2021/22 dhe 44.5 milionë dollarë në edicionin 2022/23.
“Mbreti James” do ta nis kampionatin e 18-të në ligën NBA, ndërsa është i treti në listën e koshashënuesve më të mirë në NBA me 34 mijë e 241 pikë, prapa Kareem Abdul-Jabbarit (38,387) dhe Karl Malone (36,928).