Tek Jamaha kanë mbetur të mahnitur nga rikuperimi “flash” i Valentino Rossit, që u rikthye në pistë 24 ditë pas operacionit, por njëkohësisht kanë mbetur edhe të kënaqur nga rezultati i pilotit italian, që në pistën e Aragon u rendit i pesti, pas shokut të tij të skuadrës Maverik Vinales. Pas kësaj gare, Rossi ka 58 pikë disavantazh karshi kryesuesit të Moto GP, spanjollit MarK MarKuez, ndërsa Vinales është 28 pikë pas patriotit të tij, duke qenë ende në garë për titull.
Sipas Mattero Meregalli, një prej drejtuesve të Jamaha, piloti italian nuk ka shumë shanse të fitojë titullin kampion, ndërsa Vinales po. Ndaj ai beson se italiani do të bëjë një lojë skuadre për ta ndihmuar spanjollin të fitojë titullin. “Nuk e kemi bërë kurrë në të shkuarën që njëri pilot të ndihmojë tjetrin, por gjithçka mund të ndodhë. Rossi ka përvojë dhe do të dijë si të sillet në pistë nëse Vinales është në garë për titullin. Do t’i themi Rossit të mos e pengojë Vinales dhe të ngadalësojë rivalët e tij”, tha Meregalli.