Frenk Riberi kompletoi kalimin e tij te Fiorentina në merkatoin e verës, pasi ishte një lojtar i lirë teksa i kishte dhënë fund aventurës me Bajern Mynihun.
Shumë njerëz në fillim kur francezi kaloi në Firence, u shprehën se ky transferim ishte thjesht për marketing, pasi një lojtar nuk ka çfarë të japë më shumë në moshën 36-vjeçare, kur ai tashmë ka fituar shumë trofe. Megjithatë në vetëm pak ndeshje Riberi i ka bërë të gjithë të ndryshojnë mendje, teksa po tregon një formë shumë të mirë.
Sulmuesi ka dhënë një intervistë së fundmi ku është shprehur: “Firence është një qytet i vogël, por shumë i bukur dhe unë jam shumë i lumtur këtu. Kam nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me Fiorentinën dhe dua të jap gjithçka për tifozët, sepse njerëzit këtu e duan shumë futbollin. Gjithçka këtu është krejtësisht ndryshe këtu, por të gjithë janë të lumtur që unë jam këtu.”, theksoi Riberi.
Gjithashtu ai foli edhe për planet që ka për të ardhmen: “Në fund të karrierës sime unë dua të rikthehem në Monako. Aty është shtëpia ime dhe se bashku me Bajernin, janë pjesë e jetës sime. Unë kurrë nuk do ta harroj atë që kemi kaluar së bashku.”, përfundoi francezi.