Do të doja të inkurajoja gjithë të rinjtë e të rejat që duan të merren me art – të vazhdojnë e të mos dëgjojnë askënd që mundohet t’i demoralizojë. Arritja është gjithmonë brenda vetes tënde, jo për botën. Kam edhe disa projekte të tjera që po përgatiten dhe shumë shpejt do publikohen!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Bekim, vjen me “Jam shqiptar hej jam shqiptar” shumë kengë në pak kohë, por si erdhi kjo këngë?!
Kompozimi i Naim Gjoshit, teksti Jahe Fida, orkestrimi masterizimi Edmond Rrapi, video ArtFabe! Ja kërkova një ditë tekst-shkruesit për mburrjen dhe krenarinë e shqiptarisë, sepse vet jam krenar që jam shqiptar. Duhej një këngë e tillë në një kohe pas pandemisë!
KOHA: Me çfarë do t’i krahasoje emocionet që ndjen, kur publiku kërkon që të përsëriten këngët e tua në mbrëmjet kur ke kënduar sigurisht përpara pandemisë?
Të them të drejtën, janë të pakrahasueshme, por nëse do të tentoja, do thosha se janë këto emocione që të motivojnë më shumë për vazhdimin e karrierës artistike.
KOHA: Si do ta përshkruaje atmosferën e vendit ku ndodhesh tani?
Ka qenë bukur këto ditë; temperatura të larta e diell dhe, ku ka diell, në Zvicër ka jetë. Tani jemi në Park dhe ka plot njerëz që kënaqen me rreze dielli. (Buzëqesh).
KOHA: Janë të shumtë shqiptarët që kanë zgjedhur Zvicër për një jetë më të mirë. Ti, për çfarë e ke zgjedhur, apo të ka zgjedhur Zvicra ty?
Po, është e vërtetë që ka shumë shqiptarë, por Zvicra mbetet një nga vendet me mundësi ndryshimi më të madhe në botë. Besoj se kjo influencë ndikon edhe në artin tim, kështu që unë e kam zgjedhur Zvicrën.
KOHA: Nis edhe dita jote me një pije te butë, lëngje frutash ndoshta, ashtu si ajo e zviceranëve?
(Qesh) Po, kështu fillon: lëng portokalli, sepse sipas vendit, bëhet kuvendi.
KOHA: A beson në shprehjen: “Mirëmëngjesi interesi”? Hera e fundit që je përballur me të?
Interesi është i pranishëm kudo edhe pse be forma te ndryshme, ndaj normalisht, besoj tek ajo shprehje!
KOHA: Para se të dalësh nga shtëpia e të nisesh për diku, çfarë sigurohesh që të mos harrosh?
Disqe me muzike te mire! E vërteta është se më qetësojnë e më fusin në botën time të interpretimit.
KOHA: Ke harruar ndonjëherë emrin e dikujt që ke takuar?
Falënderoj Zotin që kam memorie shumë të mirë dhe nuk para harroj, por nëse më ndodh, nuk do ta jepja veten, por do ta pyesja për emrin, duke buzëqeshur. (Qesh).
KOHA: Ndodh të jesh gjithmonë i kënaqur nga vetja?
Mendoj se hyj te njerëzit ambiciozë. Jo shumë nga ne jemi të kënaqur gjithmonë nga vetja. Moskënaqësia të shtyn drejt një suksesi më të madh.
KOHA: Nëse një projekt nuk shkon ashtu siç do ti, e rinis edhe njëherë nga fillimi apo e lë fare?
Unë, po i hyra diçkaje, e realizoj, por asnjëherë nuk lejoj egon të më drejtojë. Analizimi qetësisht i situatës është çelësi i arritjes në çdo fushë.
KOHA: Në ç’masë dominon te ti siguria në vetvete?
100%, pavarësisht se marr edhe opinione.
KOHA: Nëse të kërkoj të më thuash një kuriozitet, ajo që do të më thoshe, do të ishte…
A e di ti se pas 20 vjetësh do mërzitesh më shumë për gjërat që nuk bëre, sesa për ato që ke bërë? Të gjithë ekzistojmë, por duhet guxim të jetosh vërtet.
KOHA: Në këtë botë, që është vazhdimisht në ndryshim, çfarë mbetet e pandryshueshme për ty?
Rregullat bazë të një njeriu të drejtë e pa hile në çdo aspekt. Kush më njeh vërtet, e kupton për çfarë flas.
KOHA: Çfarë është ajo që kërkon tek miqtë?
Kërkoj atë që i ofroj unë; mbështetje, besim e pastërti shpirtërore.
KOHA: Gjëja më e çmuar që ke…
Familja dhe muzika! U bene dy gjera eee (Qesh) epo nuk i ndaj dot…!
KOHA: Si e sheh veten profesionalisht, në këtë pikë?
Mendoj se kam akoma punë për të bërë edhe pse prodhimtaria është e mirë profesionalisht, do të doja të më gjykonin të tjerë, por gjithmonë ata që e njohin këtë profesion.
KOHA: Nëse nuk do të ishe duke bërë këtë rrugë, tani do të kishim një Bekim…
Do kishim të njëjtin Bekim nga karakteri e ndoshta edhe më të arrirë, në ndonjë profesion tjetër.
KOHA: Çfarë të bën të zgjohesh me dëshirë në mëngjes?
Zgjohem me dëshirë për familjen time, për një të ardhme më të suksesshme që dua ta bëj realitet.
KOHA: Zakonisht, realizohet ajo që thua apo përkundrazi, ajo që e mban për vete?
Jo gjithçka ndahet dhe, po u realizua ajo që thua, do të thotë se dikush të ka vjedhur idenë. Nejse, kjo nuk ndodh në Shqipëri. Sarkazmë…
KOHA: Çfarë i thua vetes kur je vetëm?
Kam kënduar, por s’kam folur kurrë me veten. (Qesh)
KOHA: Fjala që ke në majë të gjuhës?
Emm! S’di të kem ndonjë. Ndoshta kur të lexoj intervistën, do ta kuptoj cilën fjalë them më shpesh. Ah, po: “Jam shqiptar hej jam shqiptar”. (Qesh)
KOHA: Cilët janë personat që të njohin më mirë?
Familjarët dhe miqtë, besoj.
KOHA: Ka diçka që e ke mbajtur gjatë për vete dhe do të doje ta ndaje me ne? Çfarë vjen me pas?
Nuk është edhe aq e fshehtë (buzëqesh), por do të doja të inkurajoja gjithë të rinjtë e të rejat që duan të merren me art – të vazhdojnë e të mos dëgjojnë askënd që mundohet t’i demoralizojë. Arritja është gjithmonë brenda vetes tënde, jo për botën. Kam edhe disa projekte të tjera që po përgatiten dhe shumë shpejt do publikohen! E pra, edhe Bekimi e mbylli me kaq. (Buzëqesh) Ju falënderoj juve dhe gazetën tuaj e në veçanti, lexuesit tuaj, që shpresoj të kenë një ditë të këndshme, kudo qofshin.