Gianni Infantino, numri një i FIFA-s, nuk e ka fshehur kurrë besimin e tij futbollistik: italo-zvicerani ka qenë gjithmonë i lidhur me Inter-in. Në një intervistë të dhënë për Sky, presidenti i organizmit që drejton futbollin botëror ka rrëfyer disa anekdota në lidhje me pasionin e tij zikaltër: “Gjithmonë internist? Po, gjithmonë. E dija se nuk duhej t’i përgjigjesha këtyre pyetjeve, – ka thënë duke qeshur. – Janë ato viruse që i merr qëkur je fëmijë. Babai im ishte internist dhe i ka ndjekur direkt finalet e Kupës së Kampionëve në vitet ’60. Kështu, ndeshja e parë që kam ndjekur në stadium ka qenë një ndeshje e Inter, në “San Siro”. Dhe aq ka mjaftuar, kur futesh në atë stadium nuk kupton më asgjë! Tani? Është një periudhë tranzicioni, por interistët janë mësuar me periudha të tilla. Vuajtje? Edhe me vuajtjet, por vuajtja është një shkollë e jetës dhe, kur vuan, më pas i vlerëson më shumë gëzimet dhe fitoret”.
Infantino ka folur edhe për trajnerin e ri të Inter, Stefano Pioli. “Kur je tifoz nuk mendon për asgjë tjetër përveçse të mbështesësh skuadrën e zemrës. Pioli? I uroj sukses atij dhe të gjithë trajnerëve. Tani jam president, duhet të jem neutral, zviceran (ka qeshur).
A e dua akoma Mourinho-n si tifoz? Patjetër që po, është i madh. Është një personazh që i ka dhënë shumë futbollit, me idetë e tij, mënyrat e tij… Natyrisht, ose e do ose e urren, dhe unë jam pjesë e kategorisë së parë. Por ne na duhen personazhe të tillë, novator që thonë atë që mendojnë, që nuk janë gjithmonë diplomatikë. Na duhen këto njerëz në futboll, për këtë arsye them se Mourinho është sigurisht mes të mëdhenjve, mes legjendave të futbollit”.