Dibër, 18 maj- Në një prononcim për opinionin, ish kryetari i Dibrës, Argëtim Fida, thotë se jam i befasuar nga lajmet lidhur me paralajmërimin e Policisë Financiare se do të ngrihet padi për keqpërdorim të detyrës zyrtare për disa ish kryetarë të komunave nga radhët e BDI-së , ndër të cilat përmendet dhe Dibra. “Njoftoj se unë nuk kam pasur asnjë informim zyrtar për këtë. Megjithatë njoftoj se jam i hapur për të gjitha hetimet e mundshme pasi që jam i pastër në këtë drejtim. Për vendimet për furnizime publike në Dibër, për 8 vite sa isha kryetar, mbaheshin “Forumet në Bashkësi” ku në mënyrë transparente planifikoheshin çështjet prioritare dhe demonstrohej publikisht si është harxhuar çdo denar i Buxhetit të Komunës. Sigurisht propozimet e “Forumeve ne Bashkësi” dhe tjera miratoheshin nga Këshilli Komunal dhe pastaj komisionet e posaçme për furnizime publike bënin procedurat dhe zgjidhnin ofertat fituese që i propozonin kryetarit. Kryetari vetëm ka vërtetuar zgjedhjet më të mira të Komisionit në bazë të ofertave më të mira nga realizuesit. Mënyra e rregullt dhe transparente e punës u vërtetua në disa revizione financiare, që u bënë deri në ditën e fundit të mandatit tim të dytë. Muajt e fundit asgjë nuk është për t’u habitur në Maqedoni, presionet vijnë nga të gjitha anët e mundshme. Përsëris, megjithatë u befasuam tejmase se puna jonë transparente ishte e njohur jo vetëm për qytetarët dibranë, por edhe më gjerë. Kjo ndoshta ka qenë dhe vazhdon të jetë pengesë për qarqe të caktuara”, thotë ish kryetari i Komunës së Dibrës, Argëtim Fida.