Bujar KURTAJ
Shkup, 29 mars – Javën e kaluar, kik-boksieri i talentuar nga Shkupi Hadis Ramadani, e arriti fitoren e dhjetë nga gjithsejtë dhjetë meçet prej kur nga ai amator, filloi të garojë si profesionist. Me rezultatin 2-1, Ramadani mundi kik-boksierin Skander Hakimi, duke vazhduar kështu serinë e fitoreve dhe duke rritur kështu vetëbesimin për sfidat që e presin.
Ai për gazetën KOHA ka rrëfyer edhe njëherë emocionet e fitores ndaj Skander Hakimi, por edhe rrugëtimin e tij të deritanishëm, përgatitjet dhe mbështetjen që e ka nga menaxheri dhe klubi i tij, por jo edhe nga shteti i Maqedonisë. Në fillim, 19-vjeçari edhe njëherë rrëfeu emocionet për fitoren ndaj kik-boksierit nga Afganistani, por që garon për shtetin e Zvicrës, Skander Hakimi.
“Meçi siç e dini u zhvillua në Folkecvill të Zvicrës, ndaj një kundërshtari i cili deri para përballjes me mua kishte nëntë meçe profesionale dhe bëhej fjalë për një kik-boksier shumë të fortë, i cili dallohej për luftën me këmbë. Aj me prejardhje është nga Afganistani, por meçet i zhvillon për Zvicrën. Fitova me rezultatin 2-1, një rezultat i ngushtë, por falë goditjeve të mia, arrita të fitoj. Në fakt meçi zgjati tre raunde, ku raundi i parë më takoi mua, në të dytin kundërshtari ishte më i mirë, por siç thash me një goditje të mirë në raundin e tretë ‘high kick’, fitova pikën që më solli fitore, respektivisht të dhjetën nga po aq meçe”, shprehet Ramadani, i cili shfrytëzon rastin të falënderon të gjithë ata që e përkrahën në natën e mbrëmjes, por edhe ata të cilët kanë uruar më pas atë për fitoren.
“Siç e dini meçi u zhvillua në Zvicër, para një numri të madh, rreth dy mijë shikues, ku pothuajse të gjithë ishin shqiptar. U krijua një atmosferë shumë e mirë, ku gjatë tre raundeve nuk më mungoi përkrahja dhe kjo bëri që unë të jap maksimumin dhe përkrahjen që ma dhanë tua rikthej me fitore. Më vjen keq edhe të tjerët që jetojnë në Shkup dhe gjithë ata tifoz që i kam, nuk patën mundësi përkundër paralajmërimeve, ta shohin ndeshjen drejtpërsëdrejti, e gjithë kjo për shkak të problemeve teknike me të cilat u ballafaqua organizatori. Megjithatë, ata nuk nguruan të më urojnë me mesazhe dhe komente në faqen time zyrtare në ‘Facebook’. I falënderoj të gjithë nga zemra dhe ju premtoj fitore të reja”, shtoi më tej kik-boksieri shkupjan.
Ndryshe, Hadisi pranon se nuk e kishte pritur një seri të gjatë të fitoreve prej kur filloi të garojë si profesionist, ndërsa premton se nuk do të ndalet me kaq dhe se menjëherë ka filluar përgatitjet për meçin e radhës. “Dhjetë meçe, dhjetë fitore, jam i fascinuar. Kur u shpërngula nga meçet amatore në ato profesionale, hyra me bindjen që mos të humbi asnjë meç. Të jem i sinqertë nuk e kisha pritur që në dhjetë meçet të kem po aq fitore, por në çdo meç kam dhënë maksimumin dhe fitoret vinin një pas një. Derisa, presidenti i ‘WKU’ është Skender Shahini, të cilin e kam edhe menaxher dhe i cili i organizon meçet e mia në Zvicër. Ai planifikon që në muajin maj të kem meçin e radhës, por deri atëherë do të shohim, me rëndësi është që unë jam i gatshëm për sfidat e reja”.
Në fund, Ramadani tha se përkrahjen e vetme e ka nga menaxheri Skender Shahini, ndërsa nuk mungon edhe përkrahja nga klubi i tij dhe trajneri Andrej Georgiev. “Përkundër rezultateve të shkëlqyeshme që po i arrij në sportin e kik-boksit, nuk kam ndihmë nga askush, përfshi këtu edhe Agjencinë për Rini dhe Sport. Sinqerisht nuk dua të merrem me këtë gjë, këtë ua lë atyre që drejtojnë këtë institucion (Agjencinë për Rini dhe Sport), e imja është të vazhdoj me këtë temp. Realisht unë e përfaqësoj Maqedoninë dhe realisht duhet të më kishin ftuar deri më tani, por as që janë interesuar. Gjitha meçet që janë mbajtur deri më tani, është përkujdesur menaxheri im, ndërsa prapa kam edhe klubin dhe trajnerin tim”, përfundoi Hadis Ramadani, kik-boksieri nga Shkupi.