Tearcë, 9 prill – Kryetari i Aleancës për Shqiptarët mbrëmë në Tearcë, në tubimin parazgjedhor për kandidartin për president, Blerim Reka, ka folur edhe për tendencat e mediave të afërta me pushtetin të cilat mundohen ti shtrembërojnë deklaratat e tij, madje duke imputuar të pavërteta.
Ai tha se sa më shumë ofrohen zgjedhjet, media të afërta me pushtetit i devijojë edhe fjalët qëllimmira dhe fjalimet që ai ua dedikon shqiptarëve. “Do të shfrytëzoj rastin që këtu nga Tearca t’ju jap një përgjigje: në qoftëse keni aluduar ndonjëherë se Ziadin Sela është kundër arnautëve, ju them se Ziadin Sela është arnaut, Ziadin Sela është arvanit, arbresh, albanian dhe shqiptar dhe këtu është në mesin e shqiptarëve. Kurrë nuk kam thënë se ‘arnautët’ duhet t’ja japin votën maqedonasve, por kam thënë se ata shqiptarë që u është bërë gjaku ujë, të kenë kujdes se si do të sillen më 21 prill dhe gjithë shqiptarët si bijë shqiptarësh, pa marrë parasysh se si na thonë popujt tjerë, më 21 prill do ti bashkangjiten kandidaturës së shqiptarit kandidaturës të profesor Blerim Rekës”, është shprehur Sela.
Në Tearcë, para të pranishmëve Sela foli edhe për “konsensualitetin”, si dhe – siç u shpreh ai, pazaret e BDI-së. “Dikur në 2009, Ali Ahmeti dhe BDI flisnin me të njëjtën gjuhë siç flasin sot. Njëjtë fliste për Ivanovin ashtu siç flet sot për Pendarovskin. Në 2009, Aliu thoshte përkrahni Ivanovin se pas 5 vitesh, VMRO do të votojë kandidat për president shqiptar dhe tani thotë përkrahni Pendarovskin se pas 20 vitesh ose dikur do vijë koha edhe për president shqiptar dhe se maqedonasit do votojnë për president shqiptar. BDI ka humbur veten kur po flasin për ‘koncept’, në fakt nuk bëhet fjalë për koncept, por bëhet fjalë për shërbesë, sepse BDI këtë di të bëjë më së miri”.