Moskë, 28 dhjetor – Moska dhe Londra kanë arritur marrëveshje për kthimin gradual të personelit të misioneve diplomatike nga janari i vitit 2019, paralajmëroi ambasadori rus në Britani të Madhe, Aleksandar Jakovenko.
“Në parim arritëm marrëveshje për kthimin e personelit diplomatik në Moskë dhe në Londër gjatë janarit. Nuk jam i sigurt nëse kjo ka të bëjë për të gjithë anëtarët e personelit, por të paktën gjysma e tyre do të kthehen”, deklaroi Jakovenko për televizionin rus Rusia 24.
Ai shtoi se marrëveshja është hap pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe midis të dyja vendeve.
Pas helmimit të ish agjentit të dyfishtë Sergej Skripal dhe të bijës së tij Julija më 4 mars të këtij viti, Britania e Madhe ka dëbuar 23 diplomatë rusë, ndërsa Moska si masë reciproke ka dëbuar po aq diplomatë britanikë nga Rusia dhe ka urdhëruar mbylljen e Konsullatës së përgjithshme britanike në Shën Petersburg dhe mbylljen e Këshillit Britanik në Rusi.