Kryetari i GROM-it dhe kandidat për kryetar komune të Karposhit i mbështetur nga Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” Stevço Jakimovski dje në Karposh në tubimin parazgjedhor e prezantoi programin dhe vizionin e ri për zhvillim të mëtutjeshëm të komunës.
Jakimovski theksoi se në dy mandatet e kaluara si kryetar komune i vetëqeverisjes lokale çdoherë në mënyrë të palodhshme ka punuar për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të Karposhit. Me sloganin “Rezultate, jo trillime”, Jakimovski për mandatin e ardhshëm katërvjeçar paralajmëroi pesë qëllime të reja strategjike.
Në prioritet i ka edhe avancimin e ekologjisë, veçanërisht në periudhën e dimrit, me dhënien e stimulimeve për këmbim të furrave të vjetra me aparate të reja, pastaj stimulime shtesë për shfrytëzimin e burimeve alternative të energjisë, ndërtimin e kontejnerëve nëntokësorë për zgjidhjen e problemeve me mbeturina, si dhe ndërtim të platformave për parkim në disa lokacione në komunë.
Për çiftet e reja, tha Jakimovski, do të jepet tokë komunale ose shtetërore pas “Zajçev Rid” që të ndërtohen shtëpi me çmim jo më të lartë se 350 euro për një metër katror.