Policia italiane ka dhënë më shumë detaje mbi operacionin e sekuestrimit të rreth 4 tonë drogë dhe të arrestimit të 3 shqiptarëve. Sipas shtypit italian, moto-hajti ishte i gjatë 17 metra, me në bord një flamur amerikan dhe tre skafistë shqiptarë, të tre të arrestuar (M.F 54 vjeç, V.E 28 vjeç e M.E 26 vjeç), i gjithi i ngarkuar me marijuanë. Analizat laboratorike të marijuanës kanë vërtetuar se sasia e drogës së sekuestruar është e një cilësie mjaft të mirë. Edhe pse sasia e sekuestruar është vlerësuar të ketë një vlerë rreth 40 milionë euro, cilësia e lartë e saj mund të sillte për organizatat e trafikantëve një përfitim prej 100 milionë eurosh.
Prokurorja Francesca Pirrelli në konferencën për shtyp ka deklaruar se “po hetohet mbi pronarin e jahtit të sekuestruar, i cili rezulton me kalime të ndryshme pronësie mes Shqipërisë e Malit të Zi”. Sasia e drogës ishte e konfeksionuar në pako me ngjyra të ndryshme që sipas financiarëve italiane ka të bëjë me klientët e klaneve të ndryshme që do merrnin në dorëzim lëndën narkotike. Për autoritetet italiane kjo sasi e madhe drogë e sekuestruar është një tregues se ky është një biznes jo në nivel province por shumë më i gjerë. Sipas hetuesve zona e Garganos është kthyer tashmë një territor të njohur për trafikun e marijuanës, duke parë kontaktet me organizatat kriminale shqiptare. “Por kjo lidhje duhet shkatërruar. Vetëm kështu mund t’i ndalojmë klanet”, tha thënë Pirelli.