Shkup, 15 prill – Shkollat tona u themeluan me vendim nr.23-2407/1 të Qeverisë së atëhershme të Republikës së Maqedonisë më 16.09.1996. Prej atëherë e deri në ditët e sotme, ato kanë fituar reputacion në fushën e arsimit dhe edukimit si në vendin tonë, ashtu edhe në nivele ndërkombëtare. Kështu nis reagimi i Drejtorisë së përgjithshme të shkollave të mesme private “Jahja Kemal”, ndërsa hedhin poshtë fushatat, siç thuhët në reagim, nga qendra të caktuara që mundohen të dëmtojnë imazhin e shkollave “Jahja Kemal”.
“Rezultatet e panumërta që kanë marrë në fushën e aktiviteteve edukativo-arsimore në Olimpiadën shtetërore dhe ndërkombëtare shkencore vërtetojnë se Jahja Kemal është një brend. Gjithashtu, maturantët me marrjen e diplomave të njohura ndërkombëtare në shkollën tonë janë të regjistruar në universitetet më elite të botës me bursë të plotë, duke dëshmuar kështu kualitetin e arsimit të fituar në shkollat tona. Fatkeqësisht, për të ndikuar në numrin e nxënësve që duan të fitojnë arsimin e tyre në shkollat tona, për çdo vit, në periudhën e regjistrimit për vitin e ardhshëm shkollor nga qendra të caktuara përhapen akuza dhe shpifje të rrejshme”, thuhet në reagimin e “Jahja Kemal”
Ne, vazhdon më tej reagimi, të njëjtat i udhëzojmë që, nëse kanë informacione dhe dëshmi specifike për shkollat tona, të drejtohen te autoritetet shtetërore dhe gjykatat, dhe mos të përhapin çdo vit gënjeshtra për të manipuluar publikun.