Frymëzim për këtë që po shkruaj, ishte intervista që Jacinda Ardern, kryeministrja e Zelandës së Re, kish dhënë për BBC-në ku mesazhi i saj ishte i qartë: luftë anti raciste globale. Sipas saj, makthin e vendit të saj ia kishte shkaktuar një qytetar i një shteti tjetër, një australian. Lufta ndaj të dhunshmëve dhe terroristëve duhet të jetë e përbashkët, sepse fenomenet e tilla kalojnë kufijtë e shteteve
Nga Nazim RASHIDI
Në rrjetet sociale mu shfaq një foto, në të cilën një person i armatosur ishte para një xhamie, kurse personi që e kishte përhapur kishte shkruar: “Kështu do t’i mbrojmë xhamitë”. Personi, që për shkak korrektësie nuk po e jap emrin, është i ri, me gjasë sa ka mbaruar studimet, dhe reagimi i tij vinte pas ngjarjeve në Zelandën e Re, ku 50 vetë humbën jetën nga sulmi terrorist gjatë lutjeve të së premtes.
Më bëri përshtypje kjo foto dhe mbishkrimi, por dhe më erdhi keq për atë djalin dhe për një brez të tërë, por edhe veten dhe rrethin tim, por edhe për gjithë shoqërinë që po jetojmë në një periudhë aq të madhe tensionesh globale e lokale sa arma duket përgjigjja. Arma për të sulmuar dhe arma për tu mbrojtur. Dua ta them publikisht atij djalit, por dhe të gjithë të tjerëve, se çështja është se s’duhet të ketë nevojë për armë, për rojtarë, për të mbrojtur xhamitë apo çfarë do objekti tjetër.
Është skandaloze, është jashtë çdo normaleje, është e tmerrshme që të vihemi në pozitë të kemi frikë për zgjedhjen tonë, për lirinë tonë, për bindjet tona, e këtë ta mbrojmë me armë e me roje.
Nuk dua ta pranoj, në fakt nuk e pranoja gjatë kohë, por tashmë është e qartë, se lufta e brezit tonë është mbrojtja e vlerave bazike, që kujtova se ishte arritur e këto janë mbrojtja e lirisë, e lirisë së shprehjes, e lirisë për të besuar e mos të besuar, lufta mes ekstremeve, lufta për një shoqëri ku të gjithë të jenë e të ndihen të barabartë.
Mendoja se të paktën këtë synim e kanë të gjithë dhe mospajtimet janë tek rruga se si të arrihet ky synim. Por jo, përplasja qenka që në ide. Mes atyre që duan dominancë me çdo kusht duke përdorur dhe dhunë, dhe atyre që duan barazinë. Dhe kjo pastaj reflektohet në etni, në raca, në fe, në kultura….
E tmerrshme. Por disi dhe çliruese, sepse tashmë është e qartë. Duhet vënë përballë situatës dhe duhet qartësuar se konceptet e dominancës, supremacisë, sundimit nuk do na çojnë askund, përveç se do nxisin përplasje dhe konflikte të tjera.
Unë e di se një tekst si ky nuk është se ndryshon shumë mendjen e radikalëve, por tashmë çështja është se duhet bërë sa më shumë përpjekje që mos të “infektohen” të tjerë. Dhe si bëhet kjo? Duke mos dhënë modele të gabuar, ose duke vlerësuar modelet e duhur.
Dhe këtë do të dua të theksoj.
Më tronditi pa masë ngjarja në Zelandën e re. Më dha një ndjesi mllefi dhe dhimbjeje ngjashëm si kur pashë vrasjet dhe vuajtjet nga sulmet e ISIS shumë vite përpara. Më vjen keq që i pashë dhe që jam dëshmitar i një periudhe të tmerrshme të njerëzimit.
Por nuk do fokusohem këtu. Do flas për heroinën e pas ngjarjes, sepse siç thashë, duhen dhënë modele të duhur. Dhe një e tillë është Jacinda Ardern. Në një fjalim të sajin pak ditë pas ngjarjes së tmerrshme të vendit të saj, ajo tha se asnjëherë nuk do të përmendte më emrin e vrasësit. Por do të përmendte vetëm emrat e viktimave, sepse ata duhen kujtuar dhe jo vrasësi.
Me të njëjtën logjikë, unë do përmend emrin e saj, Jucinda Ardern, sepse po bëhet model i një udhëheqësi në botën moderne, kur etnitë, kulturat, fetë, shkrihen, mbijetojnë në thurje e vija përtej kufijve e rregullave që konservatorët, dhunuesit, radikalët e terroristët i imagjinojnë.
Dua ta theksoj emrin e saj, sepse jo thjeshtë kur shikoja fotot ku ajo përqafon familjarët e viktimave, më dukej se më përqafon dhe mua, por sepse është qartësisht e dukshme se ajo beson në vlerat që duhet të përhapen sa më shumë, e ato janë barazia dhe ndenja e të qenurit i sigurt, kush do që të jesh e kudo që të jesh. Emri saj duhet përmendur, sepse hedh poshtë fuqishëm idetë se ardhja e emigrantëve në shtetin e saj mund të ketë nxitur dhunën. Ajo e thotë qartë, se të gjithë që kanë bërë vatan Zelandën e Re duhet të ndihen të sigurt. Se mikpritja s’mund të jetë shkak për urrejtje. Dhe këtë e thotë në kulmin e zisë në vendin e saj.
Frymëzim për këtë që po shkruaj, në fakt ishte intervista që Jacinda Ardern kish dhënë për BBC-në, të parën pas vrasjeve të tmerrshme në Kristçërç dhe mesazhi i saj ishte i qartë: Lufta anti raciste duhet të jetë globale. Sipas saj makthin e vendit të saj ia kishte shkaktuar një qytetar i një shtetit tjetër, një australian. Nuk do të thoshte se idetë e tij nuk mbështeten edhe në vendin e saj, por ajo thekson faktin se lufta ndaj të dhunshmëve, terroristëve duhet të jetë e përbashkët, sepse fenomenet e tilla kalojnë kufijtë e shteteve.
“Atë që përjetoi Zelanda e Re ishte një dhunë që e solli dikush që ishte rritur dhe kishte mësuar ideologjinë e tij diku tjetër. Nëse duam që globalisht të jemi të sigurt, tolerantë dhe gjithëpërfshirës nuk mund të mendojmë brenda kufijve”, thotë Ardern. Ajo është e qartë në thirrjen e saj drejtuar gjithë botës, se për të hequr këtë ideologji dhune atje ku ekziston duhet punuar për krijimin e një mjedisi, shoqërie që ideologji të tilla mos të lulëzojnë. Dhe një gjë e tillë i përket të gjithëve si detyrim.
Prandaj përmend sot emrin e saj, Jacinda Ardern, sepse vlerat e saj duhet të përqafohen nga të gjithë, ashtu siç përqafoi ajo me aq empati e dhimbje familjarët e viktimave. Dhe duhet folur për ekstremizmin, dhunën, mungesën e lirisë, shtypjen e lirisë, shtypjen e tjetrit,në mesin tonë. Me veten, me ata që na rrethojnë, me shoqërinë. Ekstremizmi s’ka se si të sjellë qetësi e siguri.
Në dukje e thjeshtë për mua, por qartazi jo e thjeshtë për shumë njerëz të tjerë, dhe siç thashë, këtë po e kuptoj sa vjen e më shumë, se çështjet janë esenciale të lehta, por jo për të gjithë dhe prandaj duhet përsëritur. Dhe thjeshtësia është kjo, se ajo që duhet është veç pak më shumë respekt për atë tjetrin që është ndryshe nga ne. Ndryshe nga të gjitha aspektet. Dua të besoj dhe do vazhdoj të besoj se mund të arrihet një synim i tillë. Por për mua tashmë është e qartë se këto vlera nuk duhet të merren më të mirëqena. Prandaj duhet të punohet për këtë dhe unë do filloj që sot.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)