Nga Blerim REKA
Titullin e shkrimit të sotëm e huazova nga ai i letrës së shkrimtarit të madh francez Emil Zola, drejtuar Presidentit Francez. Me këtë letër të hapur, ai në vitin 1898, do të protestonte për dënimin e padrejtë me burg të përjetshëm, të oficerit ushtarak francez Drajfus – për kinse “spiunazh”. Më vonë, rigjykimi do ti vërtetonte dyshimet e Zolës: se ishte një gjykim i padrejtë, prandaj ushtaraku francez me prejardhje hebreje do lirohej. Maqedonia nuk ka Emil Zola, e as President të Francës. Ka pak intelektualë, edhe më pak politikanë të guximshëm, që pranojnë të flijojnë: privilegjet para parimeve; materialen para ideales dhe të vërtetën para karijerës.
Zola, ndërkaq pas kësaj letre, do i humbte të gjitha privilegjet shtetërore përfshi edhe “Urdhrin e Legjionarit të Nderit”. Por, ai nuk kishte kalkuluar midis: fitimit apo humbjes personale. Para më shumë se një shekulli, ai kishte akuzuar gjyqësorin dhe shtetin për shkelje të ligjit dhe dënimin e një të pafajshmi. Ai kishte dëshmuar, kështu atdhedashuri për Francën, si shtet i së drejtës dhe i qytetarëve të barabartë. Maqedonia, është larg Francës. Këtu, ende kemi: suficit nacionalizmi dhe deficit patriotizmi. Nuk ka intelektual të kalibrit të tillë si Zola, por nuk ka as President si ai i Francës. Nuk ka kush, e as kujt ti shkruhet një letër e hapur. Sepse, ndërgjegjja që moti nuk banon këtu, kurse vetëdija është pa adresë.
Preokupim politik mbeten vetëm zgjedhjet, sepse edhe shoqëria po sundohet nga vota. Mbrojtësit e tij, këtë e quajnë demokraci; kritikët – diktaturë elektorale. Fitoret zgjedhore nuk janë garancë për demokracinë. Pardje, Putini sërish fitoi absolutisht zgjedhjet presidenciale- për 18 vite rresht. Millosheviqi, i fitonte bindshëm zgjedhjet në Serbi për plotë 12 vite, sikur edhe Sadam Huesini në Irak dhe Gadafi në Libi e Asadi në Siri, për më shumë dekada rradhazi. Dhe kjo është demokraci? Apo vetëm demokraturë?
Kur mendohej se gjykimi për rastin “Monstra” do të ishte i fundit i një gjyqësie selektive, mbivotimi i prokurorëve për ri-kualifikimin e vrasjes së Almirit, ia veshi këtij selektiviteti edhe petkun etnik. Ndarja e gishtave votues prokurorijal- mbi baza etnike- me imponim të Prokurorit të ri- të posazgjedhur, dëshmoi se sa larg jemi nga ç’ kapja e shtetit. Vazhdimisht përsëritet se nuk do lejohet përzierje në gjyqësor. E prokuroria nuk është gjykatë. Gjyqësori, pra, vështirë po zhvishet nga politika, e nuk po lirohet as nga mentaliteti i pronësisë një-etnike mbi shtetin. Pribe në raportin e tij, para dy vitesh qartë udhëzoi se rruga drejt Brukselit shkon përmes drejtësisë; e atje nuk arrihet pa gjyqësor të pavarur.
Gjykimi i drejtë është edhe një nga parimet e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Republika e Maqedonisë ishte paditur para Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, 11 herë – vetëm për shkelje të këtij parimi- pra të gjykimit të padrejtë. Nëse ky rikualifikim lirues për vrasjen e Almirit konfirmohet edhe nga gjykata, Maqedoninë e pret edhe një padi e re- para Gjykatës së Strasburgut.
Vrasja e Almirit, pra, nuk është vetëm tragjedi familjare. Është vrasje e shoqërisë që pas kapjes 11 vjeçare, premtoi drejtësi të verbër: të bazuarit vetëm në fakte objektive dhe jo në interpretimin e tyre subjektiv. Aq sa është humbje për familjarët, jeta e shuar me dhunë e Almirit, tërheq po aq edhe vijën e kuqe- poshtë të cilës- nuk guxon të rrëshqet shteti. Sepse, pa gjyqësor të pavarur, nuk ka sundim të ligjit. Pa sundim të ligjit nuk ka drejtësi. Pa drejtësi nuk ka barazi të qytetarëve. E kjo e fundit nuk arrihet, kur të gjithë prokurorët e një etnie, e ri-kualifikojnë vrasjen me paramendim- në “aksident trafiku”; pas të cilës vrasësi krekoset triumfalisht; e mjeti i vrasjes- qarkullon rrugëve lirisht.
Nuk ka drejtësi kur ajo vendoset me mbivotim gishtash, e me ngritjen e gishtit të mesëm të vrasësit, që vetëm ri-konfirmon paramendimin; aspak pendimin për shuarjen e një jete fëmiu.
Nuk dua ti besoj teorive të konspiracionit, e as skenarit balancues, që lidh lirimin e vrasësit të Almirit si amortizues për votimin e “Ligjit për gjuhët”. Aq më pak dua të besoj, se skandali i ish-kryeministrit atë ditë në Parlament, ishte përpjekje për reprizimin e 27 prillit. Sikur që nuk dua të besoj se paralajmërimi i partisë më të madhe opozitare maqedonase për protesta masive në vend, është përpjekje për të bllokuar – jo vetëm çështjen e fundit të pa implementuar të Marrëveshjes së Ohrit, por edhe atë të kontestit me Greqinë për emrin- si parakusht për hyrje në NATO.
Fundja, nuk dua të besoj, as se fuqia botërore, që kundërshton anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, do i gëzohej trazirave politike vendore- tre muaj para samitit, ku vendi pritet të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës Veri- Atlantike. Shumë spekulime e tepër skenarë të mëdha, për një vend të vogël, por kyç për sigurinë rajonale. Të gjithë merren me politikë të madhe e harrojnë se jeta zhvillohet brenda politikave të vogla. Të humbur pas “çështjeve të mëdha kombëtare”, po harrojmë se para syve po gjakosin fatet e thjeshta njerëzore. Vërtet, për një shtet është me rëndësi orientimi i tij strategjik, por për një familje shumë më me rëndësi është të mos përsëriten tragjeditë e reja si ajo e Almirit. Epilogu i pardjeshëm lirues i të dënuarve të pafajshëm të rastit të Sopotit, është edhe një provë më tepër se çfarë gjyqësori nuk do të duhej të kishte Maqedonia.
Gjykimi i ndërgjegjes, shpresoj se do peshoj më tepër se gjykimi politik tek gjykata, e cila duhet ta hedh poshtë diktatin rikualifikues prokurorial. Gjykata franceze, para më shumë se një shekulli, kishte liruar një të dënuar të pafajshëm, duke ri-kthyer drejtësinë. Kjo e jona, sot, duhet ta dënoj fajtorin e liruar, duke ri-vendosur barazinë ligjore.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)