Drejtori sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç, në një deklaratë nga Beogradi, rrëfen se si u pritën nga vendasit e Partizanit, çfarë ndeshjeje i pret korçarët dhe pritshmëritë nga ky takim i fazës në grupe të Ligës së Europës:
“Deri në këto momente gjithçka po shkon shumë mirë. Na kanë pritur mirë, si kryesia e klubit, po ashtu edhe opinioni. Po shihet se janë përgatitur për këtë takim në të gjitha drejtimet. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Kundërshtari me siguri do të provojë të marrë trepikëshin, por edhe ne i kemi planet tona. Diferencat mes Partizanit dhe Skënderbeut nuk janë të mëdha, prandaj nuk mund të parashikohet rezultati. Jam i sigurtë që, nëse Skënderbeu jep 100% në fushë, do të jemi një arrë shumë e fortë sonte për kundërshtarin. Jam shumë optimist për një rezultat pozitiv”, deklaroi shkupjani Fakiç
Ndeshja Partizani-Skënderbeu, në kuadrin e javës së katër të Ligës së Europës, do të luhet sonte (e enjte), me fillim prej orës 19:00.