Trajneri i Milanit, Montella, duket se do të bëjë një “modifikim” në mbrojtje, duke zgjedhur të parin si titullar mes Gomez dhe Zapata në derbin e Madoninës, të mbrëmjes së nesërme, që do të luhet në “San Siro”, ora 20:45, ; Nga ana tjetër, Pioli ka rimëkëmbur Ansaldi dhe anon nga lënia jashtë e Banega në favor të Brozovic. Derbi i Milanos nuk është kurrë një lojë “normale”, por për njërin nga trajnerët respektivë do të jetë një mbrëmje tejet e veçantë. Kjo, për shkak se kemi të bëjmë me debutimin e trajnerit të Interit, Stefano Pioli, i cili hidhet menjëherë në “pusin” e stadiumit “San Siro”.
Do të jetë një mundësi për Milanin, që të shtrihet edhe më në hendekun aktual, që ka në renditje, në raport me kushërinjtë zikaltër. Montella po i afrohet garës pa shumë dyshime, por me një mungesë të rëndë: Alessio Romagnoli. Në mbrojtje, sikurse thamë, Gomez është në epërsi nga Zapata. Nga krahët do të pozicionohen Abate dhe De Sciglio. Mesfusha me tre është e paprekshme; Locatelli strumbullar i lojës ndërsa Kucka dhe Bonaventura si “fasha” të brendshme. Në sulm Bacca konfirmohet si titullar, por Lapadula ka ende disa mundësi për të luajtur. Reparti ofensiv i vendësve do ta kompletojë “tridentin” me Niang dhe Suso. Interi është vështirë për t’u lexuar, ngaqë ka bërë ndryshime në drejtim, por Pioli është ende i gatshëm për t’i dhënë njëfarë vazhdimësie skuadrës. Në mbrojtje rimëkëmbet Ansaldi, ndërsa tjetri do të kthehet nga balotazhi mes D’Ambrosio dhe Santon. Po ashtu, duhet të rikonfirmohet edhe njëri midis Miranda dhe Murillo, edhe pse hipotezë mbetet edhe Medel, për të luajtur si mbrojtës qendror. Në mesfushë ka të ngjarë të mbesë jashtë Banega, sepse ka pak që është kthyer nga një udhëtim i gjatë me Argjentinën. Përfiton Brozovic, i cili duhet të kompletojë treshen e mesfushës, me Medel dhe Joao Mario. Sulmi nuk ndryshon: Icardi, Candreva dhe Perisiç.