Evis HALILI
Shkup, 14 janar – Këshilli organizativ për shënimin e “Vitit të Skënderbeut” është mbledhur të premten në Parlament për të diskutuar lidhur me agjendën dhe formën e organizimit të kësaj ngjarje mbarëshqiptare, shkruan gazeta KOHA. Këshilli ende nuk ka hartuar një listë të plotë me aktivitete, përveç tre datave që tashmë i ka të planifikuara, 17 janari – 550 vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit, Kuvendi i Lezhës dhe Kongresi i Manastirit. Meqenëse aktivitetet e këtij vit do të shënohen nën siglën e Parlamentit pritet që krahas datave që lidhen me historinë shqiptare të ketë edhe manifestime të tilla që do të spikasin bashkëjetesën dhe luftën e përbashkët të popujve për liri. Kështu pohojnë nga ky këshill që në mbledhjen e parë ka diskutuar në pika të përgjithshme për mënyrën e organizimit dhe aktivitetet që do të shënojnë këtë vit. Përveç kryetarit Talat Xhaferi në këtë këshill figurojnë edhe emra të tjerë, si akademiku Dragi Georgiev (drejtor i Institutit të Historisë), Vllado Popovski, Natasha Didenko, Visar Ganiu, por edhe David Hosaflook, Albert Ramaj, Harun Ibrahimi, nga Instituti i Trashëgimisë Skënder Asani, Sefer Tahiri e Sevdail Demiri.
“Aktiviteti i parë me të cilin e japim këtë vit është 17 janari, dhe pas kësaj date besoj se do të kemi një agjendë të plotë me aktivitete të cilat do të mbështeten nga Parlamenti dhe do të realizohen nga ITSHKSH. Datat madhore si Kuvendi i Lezhës, Kongresi i Manastirit janë tashmë pjesë e kësaj agjende së cilës do t’i shtohen edhe manifestime të tjera që kanë lidhje me figurën e heroit tonë kombëtar, por edhe luftën për liri të popujve nën flamurin e Skënderbeut”, thotë për KOHA, zëvendëskryetari i Këshillit Skender Asani.
Nismës mbarëshqiptare “Viti i Skënderbeut” iu bashkëngjit edhe Maqedonia. Pas vendimit të Parlamentit për të vendosur në kalendarin e festimeve jubilare të vitit 2018 edhe 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, u formua pak ditë më parë edhe një këshill organizativ për të zgjeruar aktivitetet që nga një ditë do të transferohen gjatë gjithë vitit. Duke mundësuar kështu edhe koordinimin e aktiviteteve që mund të shënohen në forma të përbashkëta me Shqipërinë apo Kosovën, si Dita e Alfabetit, apo edhe Lidhja e Prizrenit. Në Shqipëri manifestimet për Vitin e Skënderbeut nisën në nëntorin e vitit të kaluar, nën kujdesin e qeverisë. Në Shkup do të nisin të mërkurën me akademi përkujtimore, promovimin e pullës postale, nën organizimin e ITSHKSH, komunës Çair. Kjo datë po ashtu është koordinuar edhe me Prishtinën zyrtare, ku pulla postale do të promovohet edhe në një ceremoni në Kosovë, po më 17 janar.
Datat madhore të Vitit të GJKS janë – 28 nëntori (574 vjetori i Pavarësisë), 17 janari (550 vjetori i vdekjes së Skënderbeut), 10 qershori (140 vjetori i Lidhjes së Prizrenit), 14-22 nëntori ( 110 vjetori i Kongresit të Manastirit). (koha.mk)