Ka qenë një kohë kur tifozët britanikë nuk i kishin në stadiumet e tyre yjet e futbollit. Përpara ditëve të internetit, e vetmja mënyrë për të parë super yjet më të mëdhenj të futbollit evropian ishte në Serie A. Dhe ka pasur një periudhë kur kampionati italian transmetohej nga çdo kanal i mundshëm shqiptar… Në vitet e para të ngjizjes së Premier Ligës, Italia ishte vatra e talenteve, me yjet më të mëdhenj të futbollit që shkëlqenin në vendin mesdhetar. Përveç talenteve më të mirë, skuadrat italiane kishin edhe fanellat më të bukura: nga viola e Fiorentinas, te e verdha me blu e famshme e Parmas, e kuqja me të verdhë e Roma-s dhe fanella blu e Sampdorias e shoqëruar me të bardhë. Le t’i hedhim një sy së shkuarës, në vitet kur Serie A dominonte botën, dhe sesi u fundos tragjikisht.
Në vitin 1992, futbolli anglez iu nënshtrua një transformimi kolosal me lindjen e Premier Ligës. Por në të njëjtën kohë, ikonat e “Tre Luanëve” po largoheshin nga brigjet britanike, teksa Pol Gaskoin u transferua te Lacio – dhe që nga ai moment, filloi “Football Italia”, emisioni i “Channel 4” anglez. Për shumë shtete me emër në futboll, si Gjermania apo Italia, televizori ishte i vetmi vend ku mund të shihje ikonat që nuk do të luanin ndonjëherë në Premier Ligë apo Bundesliga. Futbolli italian kishte kohë që dominonte si brenda, ashtu edhe jashtë fushës përpara vitit 1992, madje klubet italiane thyen rekordin e transferimeve gjashtë herë në tetë vitet e fundit.
Nga viti 1989 deri në vitin 1999, kishte një skuadër italiane në finalen Kupën e Evropës/Çampions Ligë. Teksa ata ishin akoma më dominues në Kupën e UEFA, duke prodhuar tetë fitues në 11 vite gjatë së njëjtës periudhë, si dhe gjashtë finalistë humbës. Për më tepër, tetë çmime “Ballon d’Or” iu dhanë yjeve të Serie A në ato 11 vite. Kishte një fabrikë të pafundme talentesh, teksa lojtarët më të mirë nuk luanin vetëm me ekipet më të mira: nga viti 1984 deri në vitin 2000, pesë klube të ndryshëm italianë thyen rekordin e transferimeve.
Një skuadër të Premier Ligës do t’i duhej 11 vite për të paguar 40 milionë eurot që Lacio pagoi për të blerë Hernan Krespon nga Parma në vitin 2000. Futbolli italian kishte arritur një nivel fuqie që nuk ishte parë ndonjëherë. Ishte një periudhë ku Interi mund t’i bënte presion Barcelonas për të blerë Ronaldon, dhe theu barrierën e 35 milionëve duke blerë Kristian Vierin megjithëse nuk ishte në gjendje t’i ofronte futboll Evropian.
Fiorentina ra nga kategoria në vitin 1993, por arriti ta mbante Gabriel Batistutan, megjithëse kishte interes nga klubet më të mëdha botërore. Futbolli italian dukej i paprekshëm, me pronarë të kamur që nuk nguronin të investonin shuma marramendëse për të pasur sukses në kampionatin më të madh të historisë. Gjithsesi, ai u shkatërrua në mënyrë të shëmtuar disa vite më pas.
Duke nisur nga titulli i Veronas në 1985, arbitrat nuk zgjidheshin rëndom për ndeshjet. Ata zgjidheshin specifikisht, diçka që çoi te “Calciopoli” i famshëm që fundosi futbollin italian në vitin 2006. Telefonatat e përgjuara zbuluan një rrjetë marrëdhëniesh mes klubeve dhe arbitrave, ku ekipet më të mëdha zgjidhnin me gisht arbitrat e preferuar për ndeshje të caktuara dhe u shpallën fajtorë për trukime ndeshjesh. Pasojat ishin katastrofike për futbollin italian, me Juventusin që kishte qenë kampion në dy sezonit e fundit, duke përfunduar në Serie B me dy tituj të hequr.
Ndërkohë, AC Milan, Fiorentina dhe Lacio gjithashtu ishin pjesë e skandalit dhe iu hoqën pikë për sezonin e ardhshëm. Interi ishte fituesi i madh teksa i mori rivalëve lojtarët më të mirë, por nuk arriti të mbante lart futbollin italian megjithëse fitoi tripletën në 2010, dhe vetëm gjashtë vite më pas Serie A humbi një vend në Çampions Ligë. Për dhjetë sezonet e ardhshëm pas skandalit, kishte vetëm dy fitues. Gjithsesi, dy finalet në tre vitet e fundit të Juves në “Champions League” i kanë dhënë shpresë Serie A. Por, ditët kur Parma, Sampdoria, Napoli dhe Torino ishin pjesëmarrës të rregullt të kupave evropiane duken të largëta.