Humanisti Halil Kastrati tash e sa kohë është duke ua kthyer buzëqeshjet familjeve skamnore në Kosovë me projektet e shoqatës së tij “Jetimat e Ballkanit”. Për nderë të festës së 28 nëntorit, Kastrati në bashkëpunim me komuna të ndryshme kanë dhuruar 28 shtëpi në Komunën e Prizrenit dhe rrethinën.
Të pranishëm në këtë organizim ishin edhe kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, si dhe opozitari i tij i përbetuar, udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Në sallë gjatë ndarjes së shtëpive është krijuar një atmosferë elektorale ku dy liderët partiak nuk e kanë lëshuar rastin pa e thumbuar njëri tjetrin, gjë që e ka zbehur këtë organizim humanitar. Nuk kanë munguar as kritikat në adresë të Halil Kastratit nga ata që mendojnë se feja dhe bamirësia nuk duhet të përzihen me politikën dhe pushtetin.
Por, kjo nuk ka qenë hera e parë e afërsisë së Halil Kastratit me politikën. Portali Sakte.net mëson se Halil Kastrati para se ta shtrinte aktivitetin e tij bamirës dhe të fitonte një popullaritet të jashtëzakonshëm, kishte tentuar të bëjë karrierë politike.
Në vitin 2014, Halil Kastrati kishte garuar si deputet me partinë e Behgjet Pacollit. Si kandidat i AKR’së, me numrin 33, sipas të dhënave të KQZ’së, Kastrati kishte grumbulluar 1.111 vota si kandidat për deputet për partinë e Pacollit.
Mirëpo, mospasja sukses në politik, duket se ka qenë me fat për Halil Kastratin i cili sot udhëheq një prej shoqatave më të suksesshme të bamirësisë në Kosovë dhe më gjerë.