Ja sa kushtoi shkarkimi i Jose Mourinhos

Shkarkimi i Jose Mourinhos i ka kushtuar Manchester United 19.6 milionë stërlina, ka njoftuar klubi anglez. Ish-trajneri i “Old Trafford” u largua në dhjetor, pasi humbi 3-1 ndaj Liverpol-it, ndërsa shifrat financiare kanë zbuluar se ai dhe stafi i tij do të kompensohen me afërsisht 20 milionë stërlina për prishjen e njëanshme të kontratës.

Kjo shifër përfshin pagesën e tremujorit të katërt të vitit 2018 dhe kompensimin në bazë të kushteve kontraktuale të Mourinhos dhe stafit të tij, ndërsa Michael Carrick qëndroi sërish aty.

Në një buletin të shkurtër financiar, Manchester United bën me dije: “Shpenzimet e jashtëzakonshme për tremujorin e katërt të vitit 2018 ishin 19.6 milionë stërlina, lidhur me kompensimin e ish-trajnerit dhe disa pjesëtarëve të stafit stërvitor për humbjen e punës”.

 

Ky është kompensimi zyrtar financiar, që Manchester United jep për portugezin e shkarkuar në dhjetor, i cili kishte pagë prej 346.000 stërlina në javë. Nga ai moment, “Djajtë e Kuq” kanë fituar 11 nga 12 ndeshjet e drejtuara nga Ole Gunnar Solskjaer, para se të dorëzohej së fundi në Ligën e Kampioneve përballë PSG-së, të martën.

Ky ndryshim rezultoi për mirë, çka u pranua nga zv.presidenti ekzekutiv, Ed Woodward: “Emërimi i Ole dhe Mike (Phelan) si trajner kujdestar dhe ndihmës, duke punuar me Kieran (McKenna), Michael (Carrick) dhe Emilio (Alvarez) ka pasur një ndikim pozitiv në të gjithë klubin. Ne jemi të kënaqur me përmirësimin e paraqitjes së ekipit nga dhjetori dhe presim një përfundim pozitiv të sezonit 2018-2019”.