E keni pyetur ndonjëherë veten se sa përfshihen futbollistët në dizenjimin e këpucëve me të cilat zbresin në fushën e lojës? Kur bëhet fjalë për Kristiano Ronaldon, përgjigja është: shumë. “Gjithçka fillon me të, – shpjegon për ‘Goal.com’ Maks Blau, zëvendëspresidenti i ‘Nike’ për këpucët e futbollit, i cili bashkëpunon ngushtë me 31-vjeçarin portugez. – Mendoj se është i mrekullueshëm, por vetë ai është i pari që thotë: ‘Unë mund të përmirësohem’. Ai thotë se mund të bëhet akoma më i mirë dhe bën pjesën e vet, por i duhemi edhe ne me punën tonë”. “Kjo na vë në presion të madh, pasi duhet të krijojmë diçka që i vjen në ndihmë. Në këtë mënyrë krijuam ‘Mercurial Superfly’ (këpucët që vesh aktualisht Ronaldo)”, vijoi ai.
“Çdo futbollist ka ngjyrën e parapëlqyer dhe është shkencërisht e provuar që ngjyra e këpucëve aktivizon substanca kimike në trurin e lojtarëve. Kur ndjehesh më mirë, luan më mirë. Arsyeja kryesore e ngjyrës është të japë besim. Për shembull, Kristiano Ronaldos nuk i pëlqen të veshë këpucë të zeza, pasi thotë kjo ngjyrë duket e ngadaltë dhe ai dëshiron të ndjehet i shpejtë”.