Zbulohet arsyeja se përse Beppe Marotta nuk do të prezantohet si drejtues i ri i Interit para derbit të Italisë. Madje ish-juventini nuk do të jetë as në stadium për ndeshjen më të madhe të kësaj jave në Serinë A. Pas 8 viteve në kupolën drejtuese bardhezi, ku ka fituar thuajse gjithçka, për hir të të kaluarës së tij dhe respektit për tifozët nuk e ka parë të arsyeshme që të debutojë si zikaltër pikërisht në “Allianz Stadium”.
Beppe Marotta sonte do ta ndjekë ndeshjen nga televizori, por sigurisht me të gjitha efektet si administrator i deleguar i Interit. E zeza mbi të bardhë me Steven Zhang është hedhur dhe nga 1 dhjetori është i punësuar tek Interi. Prezantimi zyrtar pritet të ndodhë pas përfundimit të fazës së grupeve të Championsit. Takimi i fundit dhe vendimtar do të luhet në “San Siro” kundër PSV-së. Më 13 dhjetor do të ndodhë marrja formale e detyrës së të plotfuqishmit tek Interi.