Megjithëse konsiderohet pozitë elegante, ulja këmba mbi këmbë është e dëmshme për shëndetin, thonë shumë ekspertë. Ulja këmba mbi këmbë mund të shkaktojë probleme të ndryshme dhe për këtë arsye rekomandohet shmangia e kësaj pozite. Disa hulumtime kanë treguar se ulja afatgjate këmba mbi këmbë çon në rritjen e presionit të gjakut dhe e rrit presionin në nerva. Edhe atyre që nuk kanë probleme me presionin u këshillohet të mos ulen gjatë në pozitë të tillë, transmeton koha.net. Kjo pozitë gjithashtu mund të çojë në paralizimin e nervit peronal, dhe shkaku është përsëri presioni. Ulja në pozitën këmba mbi këmbë ndikon dukshëm në qarkullimin e gjakut. Kur e vendosni këmbën mbi këmbë, atëherë një sasi më e madhe e gjakut pompohet në zemër. Kjo ndikon negativisht në qarkullim. Mosbalancimi i legenit është gjithashtu rezultat i uljes këmba mbi këmbë. Disbalanci i legenit është rezultat i asaj që pozita e përmendur ndikon në muskujt e brendshëm dhe të jashtëm të kofshëve. Gjithashtu, kjo reflekton më vonë edhe në nyjat e këmbëve. Pozita e uljes këmba mbi këmbë e rrit rrezikun e venave varikoze ose venave të zgjeruara. Nëse uleni këmba mbi këmbë, kjo mund të shkaktojë inflamacion në këmbë dhe shtypjen e venave. Presioni në to rritet, gjë që e pengon qarkullimin e gjakut dhe pastaj vjen deri tek gjendja e sipërpërmendur. Pa marrë parasysh se në çfarë pozicioni uleni, mos e bëni atë për shumë gjatë. Ndryshoni pozicionin, ndërsa kur uleni bëjeni këtë në mënyrë të drejtë.